Është një rast korrupsioni me dëshmitarë, emra dhe detaje
Në një gazetë në internet, lexova shkrimin e botuesit të saj, ku shkruhej për ministrin e Jashtëm:
“Nuk dua të paragjykoj procesin penal të hapur ndaj tij për vjedhje dhe abuzime në një nga projektet më të mëdha të infrastrukturës së vendit, pasi me të po merret drejtësia. Nuk dua të bëj as historinë e karrierës së tij, që nis dhe mbaron thjesht nga njohje dhe interesa personale dhe jo nga merita personale. Por, kam një rast konkret ryshfeti të tij, ku ministri në fjalë ka bërë shantazh të prishë një ndërtim në autostradë dhe, pasi është paguar, e ka anuluar vendimin. Ia kam shkruar me emra konkretë, me detaje dhe dëshmitarë publikisht. Prej asaj dite, unë e shikoj atë thjesht si një hajdut..”.
Miqtë e mi më thonë shpesh që Shqipëria është e habitshme, por sado e habitshme qoftë, nëse ka një person që denoncon publikisht një rast korrupsioni dhe ka emra, detaje dhe rrethana, si ka mundësi që kjo çështje të mbetet në heshtje??!!