E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkatërrohet grupi që grabiti bankat

Foto ilustruese

Mbi 130 efektivë të policisë, RENEA e FNSH-ja në operacion. Vodhën kazino, lokale e argjendari.

Shkatërrohet grupi më i madh i klasifikuar si mjaft i rrezikshëm i grabitësve në Vlorë. Nëntë persona të arrestuar dhe 11 të tjerë të shoqëruar si të dyshuar se mund të jenë të implikuar në veprimtarinë kriminale të grabitjeve, është bilanci i një operacioni që nisi dje në mëngjes e deri në orët e vona të natës.  Policia e Vlorës nuk ka dhënë informacione të detajuara në lidhje me këtë aksion, pasi mësohet se ajo është ende në proces dhe pritet të prangosen të tjerë të dyshuar. Por mësohet se të arrestuarit akuzohen si autorë të grabitjeve të disa bankave, kazinove, dyqaneve të bizhuterive e lokaleve në qytetin e Vlorës. Sipas burimeve, në operacion kanë marrë pjesë rreth 130 efektivë të policisë. RENEA, FNSH-ja, specialistë të krimit në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë, si dhe forca të Policisë së Vlorës janë shpërndarë në qytet që në orët e para të mëngjesit të djeshëm në disa zona dhe lagje. Pas tri orësh aksion është bërë i mundur ndalimi dhe shoqërimi në komisariat i 20 personave, të akuzuar për grabitje të ndryshme. Mësohet se për disa prej tyre kishte firmosur Gjykata e rrethit masën e sigurisë burg pa afat. Për ta ishte plotësuar dokumentacioni në sajë të provave të fiksuara në vendet e ngjarjeve. Burime nga efektivë pjesëmarrës në operacionin e përbashkët policor bënë të ditur se aksioni do të vijojë deri në orët e vona, e ndoshta edhe ditën e sotme për kapjen e personave të renditur në listë si të shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për shkatërrimin e një bande grabitësish që kanë operuar në qytet në mënyrë të organizuar. Ata janë klasifikuar si bandë shumë e rrezikshme dhe kriminale në qytet. Veprimtaria e tyre ka qenë vjedhje bankash, kazinosh, dyqane kryesisht argjendari, si dhe lokale apo banesa të ndryshme, bënë të ditur burime konfidenciale të Policisë. Aksioni është organizuar në bazë të një studimi dhe hetimi disajavor nga Drejtoria e Policisë së Vlorës, me kreun e saj Artan Cuku, si dhe përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Brenda një viti kanë ndodhur 5 raste grabitjesh bankash në qytetin e Vlorës. Tri herë është grabitur filiali Raiffeisen Bank, që ndodhet pranë rrugës transballkanike, ndërsa një herë tjetër po dega e kësaj banke në bulevardin Vlorë-Skelë pranë stadiumit Flamurtari. Kjo ngjarje ndodhi rreth 20 ditë më parë, ku mbeti i plagosur edhe punonjësi i sigurisë. Grabitësit arritën të marrin rreth 1 milion lekë. Ndërsa rreth 10 muaj më parë u grabit BKT-ja në qendër të qytetit. Po brenda harkut të një viti janë grabitur dy dyqane floriri, nga ku njëri prej shitësve mbeti i plagosur me armë zjarri. Një kazino në vendin e quajtur Kapelja, si dhe tri raste të grabitjes së sallave të lojërave të fatit në zonën e Skelës.

Precedentët e grabitjeve
Filiali i Raiffeisen Bank pranë rrugës transballkanike u grabit tri herë

Dega e Raiffeisen Bank në bulevardin Vlorë-Skelë, u plagos punonjësi i sigurisë

Banka BKT u grabit 10 muaj më parë në qendër të qytetit

Dy dyqane floriri, nga ku njëri prej shitësve mbeti i plagosur me armë zjarri

Një kazino në vendin e quajtur Kapelja në Vlorë

Tri raste të grabitjes së sallave të lojërave të fatit në Skelë

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›