E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi Norvegjez: Shqipëria të ndahet, Shqiptarët të dëbohen në Anadoll

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 25-07-2011 11:03

“2083/ Deklarata Europiane e Pavarësisë”. Kështu titullohet dorëshkrimi prej 1518 faqesh i autorit të sulmeve të pak ditëve më parë në Norvegji, ku mbetën të vrarë 92 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, Anders Behring Breivik. Dokumenti i bërë publik gjatë ditës së djeshme nga gazeta norvegjeze “VG” është i mbushur me gjuhë urrejtjeje ndaj muslimanëve, ku autori parashtron dhe idenë e shfarosjes së tyre si dhe të ndarjes apo shpërbërjes së shteteve islamike. Një hapësirë të konsiderueshme Breivik u kushton shqiptarëve muslimanë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, duke i konsideruar ata si një e keqe që i kanoset Europës. Autori i masakrës, i identifikuar si një ekstremist kristian, pas një parashtrimi të gjatë faktesh historike të shtrirë në shekuj, arrin në përfundimin se shqiptarët dhe turqit janë dy prej kombeve që i kanë sjellë më shumë dëme Europës, si me luftërat e shumë viteve më parë, ashtu edhe në ditët tona. Sipas Breivikut, mafia shqiptare është një ndër më të rrezikshmet në Europë. Në vijim të analizës së fakteve, 32- vjeçari, autor i masakrës më të rëndë të ndodhur në Norvegji, arrin në përfundimin se Shqipëria duhet të ndahet mes shteteve fqinje, ndërsa muslimanët që mbesin, duhet të dërgohen në Anadollin qendror. “Shqipëria do të ndahet. 20% e territorit t’i kalojë Greqisë, 20% Malit të Zi dhe në pjesën tjetër të jetojnë shqiptarët kristianë. Të gjithë shqiptarët muslimanë do të deportohen në Anadollin qendror” – shkruhet në dokumentin me 1518 faqe të tij. Ndërsa përsa i përket Kosovës, Breivik shprehet se të gjithë shqiptarët duhet të deportohen në Shqipëri, ndërsa Kosova duhet të popullohet edhe njëherë nga serbët. Ndër të tjera, vrasësi i 92 personave deklaron se të rinjtë patriotë konservatorë duhet të zgjedhin në mënyrë aktive një sërë pikash për eliminimin e muslimanëve, ku një ndër pikat e renditura është përjashtimi i Shqipërisë nga NATO dhe pengimi i anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian. Ai shkon më tej, kur shprehet se duhet të krijohet një aleancë e re ushtarake Europiane. “Veprimi i parë që duhet të bëjmë për të çliruar shtetet europiane është largimi i NATO-s dhe krijimi i aleancës ushtarake me Rusinë dhe vendet e tjera europiane me kulturë konservatore. NATO do të përfundojë si një hije e përbërë vetëm nga SHBA, Turqi dhe Shqipëri. Në këtë pikë, SHBA do të jetojë në një botë shumë më të izoluar, e përjashtuar nga çdo bashkëpunim me Federatën Europiane” – thuhet në Deklaratën e Breivik. Ndërkohë, sipas provave të grumbulluara prej Anders Behring Breivik, ky i fundit del në konkluzionin se bregdeti shqiptar është një zonë tranzit për muslimanët që vijnë në Ballkan dhe si e tillë ajo duhet të zyrtarizohet si zonë tranziti për muslimanët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›