E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimet për përmbytjet, banorët e Shkodrës në protestë

SHKRUAN: Djana Kolaj 25-07-2011 11:06

SHKODËR- Bllokim për 75 minuta i aksit nacional Shkodër – Velipojë dhe paralajmërim për përshkallëzim protestash, këto kanë qenë veprimet e banorëve të fshatit Trush në komunën Bërdicë në Shkodër, që kërkojnë nga qeveria dhënien e parave të dëmshpërblimit të përmbytjeve të fundit. Nga ora 09 deri 10.15 të së dielës, aksi rrugor nacional Shkodër-Velipojë ka qenë i pamundur të kalohet nga automjetet në hyrje të fshatit Trush.

Protesta

Banorët e këtij fshati kanë zhvilluar një protestë të paralajmëruar dhe pasi janë mbledhur në qendër të fshatit kanë lëvizur në drejtim të hyrjes së tij, aty ku kalon dhe aksi nacional Shkodër-Velipojë, duke e bllokuar atë. Me parulla si “Zoti Kryeministër! Duam paratë e dëmshpërblimeve të përmbytjeve”,”Duam paratë tona, duam mundin tonë”,”Zoti Kryeministër! Mos luani me fukarallëkun e fatkeqësinë tonë”, mbi 500 banorë të Trushit nuk kanë lejuar mjetet e shumta që lëviznin drejt plazhit të Velipojës të vazhdonin rrugën. Efektivët e policisë kanë ndjekur protestën e paralajmëruar, ndërsa vargu i automjeteve që vinin nga Shkodra drejt plazhit të Velipojës ka qenë rreth 2 km i gjatë. Protestuesit janë shprehur se para 10 ditëve i kanë dërguar një peticion të firmosur prej tyre Prefektit, kanë zhvilluar një takim me të dhe kanë kërkuar dhënies e parave të dëmshpërblimeve.”Protesta jonë nuk është politike. Shteti ka thënë se do na japë lekët e dëmit që na shkaktoi përmbytja e dhjetorit 2010. Erdhën dhe e vlerësuan dëmin. Por paratë nuk na janë dhënë. Dëmet në fshatin tonë kanë qenë të mëdha, në tokë e banesa, ku disa janë shembur. Kemi hyrë në borxhe për të ndërhyrë në shtëpi, që të mund të futeshim në to, me shpresën se do na jepeshin paratë e premtuara. Nuk kemi me çfarë i paguajmë, as me çfarë jetojmë. Kush ka mundur të mbjellë, këtë e ka bërë vonë, pasi uji dëmtoi tokën dhe tani prodhimi ka mbetur i pa shitur. Nuk kërkojmë më shumë se atë që na është premtuar, paratë e dëmshpërblimit”. Pranë protestueseve ka ardhur dhe kryetari i komunës Berdicë, Besnik Brahimi, i cili ka shprehur përkrahjen e plotë për kërkesat e drejta të tyre, ndërsa ka ndërhyrë që rruga nacionale të lirohet dhe mjetet të vazhdojnë lëvizjen normale. Kjo i ka bindur banorët dhe qarkullimi është rivendosur. Besnik Brahimi shprehet se “kërkesa e banorëve të Trushit është e drejtë, kanë vështirësi ekonomike dhe prej muajsh presin lekët e dëmshpërblimit. I bëj thirrje qeverisë që të mbajë premtimin dhe t’ua japë paratë, ndërsa do i mbështes banorët e Berdicës në çdo protestë paqësore në kërkim të asaj që u takon dhe që u është premtuar.”Banorë të moshuar të këtij fshati që kanë dalë në protestë shprehen se u vjen turp që dalin në rrugë, por janë të detyruar nga mosdhënia e parave të premtuara.”Nuk po kërkojmë gjë tjetër vetëm një datë fikse kur do marrim paratë që i ka caktuar vetë shteti, siç ka dashtë vetë, por të paktën të na i japi. Duam një datë kur do marrim lekët”. Policia ka mbajtur qëndrim korrekt dhe është kujdesur për vendosjen e normalitetit në lëvizje, ndërsa nuk ka patur incidente as nga ata që udhëtonin drejt plazhit të Velipojës dhe janë detyruar të presin mbi një orë pasi rruga ishte e bllokuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›