E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeinspektori i Tiranës, kallëzim penal për Policinë e Shtetit



Emanuela Sako

Drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, Afrim Qendro ka dorëzuar një kallëzim penal, në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, për përfaqësuesit e Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit. Gjatë orëve të mesditës, Qendro u është drejtuar organeve të prokurorisë për të zbardhur ngjarjen e plotë dhe forcën e ushtruar nga policisë bashkiake. Sipas tij, Policia e Shtetit ka penguar forcërisht dhe në kundërshtim me ligjin, Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, në detyrën e tij brenda territorit administrative.
Reagimi
Qendro vë në dijeni se nga ana e Inspektoratit të Bashkisë së Tiranës do të vazhdohet të ushtrohen të gjitha përgjegjësitë që ngarkon ligji. Çështja do të shqyrtohet në rrugë ligjore për të shmangur konfliktin e nisur mes institucioneve të pushtetit vendor dhe atij qendror, si dhe pretendimet kryesore të pronarëve të ligjshëm të truallit. ”Mbrëmë në darkë, Policia e Shtetit ka krijuar një incident të rëndë, duke penguar forcërisht, në kundërshtim me ligjin, Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, në detyrën e tij brenda territorit administrativ. Në veprimet e tyre, ata kanë shoqëruar për shkak të cilësive të veçanta, Inspektorin e Lartë, përgjegjës të zonës, për disa orë në komisariatin e Tiranës. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka bërë një kallëzim penal për drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit të Qarkut Tiranë, gjithashtu, për përfaqësuesin e Inspektoratit Urbanistik Kombëtar, dega Tiranë. Nga ana e Inspektoratit të Bashkisë së Tiranës do të vazhdohet të ushtrohen të gjitha përgjegjësitë që ngarkon ligji”,- theksoi Kryeinspektori Q endro.
Ngjarja
Shkatërrimi i pronës private të familjes Kika në qendër të Tiranës nga qeveria ka shkaktuar përplasjen mes forcave të rendit dhe atyre bashkiake, të cilat janë thirrur në ndihmë nga pronari për të mbrojtur pronën. Për të tretën natë radhazi, të gjitha strukturat e shtetit, të aktivizuara pa urdhër dhe bazë ligjore, po tentojnë të prishin tokën në zemër të kryeqytetit dhe për ta kthyer në mënyrë arbitrare në lulishte. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes, së datës 30 tetor, tensionet kanë arritur kulmin. Policia shoqëroi një punonjës të Policisë Bashkiake dhe është dashur ndërhyrja e deputetit të PS-së, Eduard Shalsi, ish-nënkryetar i Bashkisë, i cili ka kërkuar nga drejtori i Drejtorisë së Qarkut të Policisë së Tiranës që të lirojë policin bashkiak. Poseduesi i truallit ka kërkuar ndihmën e Policisë Bashkiake, por një situatë e tillë ka sjellë konflikte mes forcave të Policisë së Rendit, të urdhëruara nga qeveria, dhe strukturave të Policisë Bashkiake. Madje, mbrëmë vonë, rreth orës 21:40, janë shënuar konfrontime fizike mes dy palëve. Pronari i truallit, bashkë me investitorin, kanë përgatitur dokumentet dhe janë miratuar para disa kohësh me firmën e qeverisë për të realizuar një objekt. Pak kohë më parë, qeveria hoqi 1/5 e sipërfaqes, e cila ndodhet në zemër të Tiranës, në këndin e Rrugës së Kavajës me Rrugën e Durrësit, që ka qenë në pronësi të Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Olldashi: “Toka në qendër i përket shtetit”

Ministri Sokol Olldashi reagon pas përplasjes së Policisë së Rendit dhe asaj Bashkiake lidhur me vendimin e Ministrisë së Transporteve për të mbushur dhe shndërruar në lulishte një gropë në qendër të Tiranës. Sipas qeverisë kjo pronë është pronë publike dhe Bashkia ka planifikuar aty të ndërtojë një pallat.
“Reagimi i Bashkisë së Tiranës nuk është normal, pasi toka në qendër të Tiranës është shtetërore dhe nuk ka leje ndërtimi nga pushteti lokal. Ne kemi vendosur që në qendër të Tiranës të ndërtohet një lulishte”,- deklaroi Olldashi. Sipas Olldashit punët publike për lulishte i takonin Bashkisë për t’i bërë, e cila është bërë pengesë për të. Sipas ministrit, policia e shtetit është vënë në mbrojtje të tokës shtetërore.

2 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›