E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga transportuesit, bllokohen 300 kilogramë hashash

Droga ishte e ngarkuar në makinë me traga gjermane, bashkë me të është arrestuar edhe shoferi i kamionit, Dashamir Lleshi. Dyshohet se hashashi vinte nga fshatra të thella të Krujës

Një kamion me 300 kilogramë hashash është kapur dje ndërsa ishte duke u imbarkuar në një nga tragetet që niseshin nga Durrësi për në Itali. Burime nga policia e Durrësit thanë se droga ishte e ngarkuar në makinë dhe ashtu si pak javë më parë, bashkë me të është arrestuar edhe shoferi i kamionit Dashamir Lleshi 29 vjeç, nga Fushë-Kruja.

Ndalimi

Policia e Durrësit tha se ashtu si në rastin e 24-vjeçarit Redi Furxhi, i cili u ndalua me një kamionçinë plot me drogë, edhe gjatë ditës së djeshme ka qenë një kontroll rutinë që ka zbuluar drogën e fshehur në kamionin me targa gjermane “AA GL 77 77”. Burime nga kjo e fundit thanë se droga ishte zbuluar në pikën e kontrollit të antidrogës. Nuk dihet nëse ajo ishte fshehur apo si në rastin e dhjetorit, ka qenë vetëm e mbuluar dhe e ngarkuar normalisht në kamionin që ishte nisur drejt Italisë. Kapja e drogës duket se është rezultat i numri të shtuar të kontrolleve në port. Menjëherë pas zbulimit të hashashit është bërë arrestimi i Lleshit, i cili po merret në pyetje nga agjentët për të zbuluar edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë linjë.

Hetimi

Policia e Durrësit ka tani për tani dy drejtime të hetimit. Destinacionin dhe personat që po prisnin drogën dhe prodhuesit apo furnizuesit e transportuesit 29-vjeçar. Burime nga kjo e fundit thanë se dyshohej që kjo sasi të ishte destinuar për në Gjermani, kjo ishte edhe arsyeja se përse ishte zgjedhur për transport kamioni me targa gjermane i bllokuar bashkë me drogën. Ndërkohë që duket se është zbuluar edhe vendi i prejardhjes së hashashit, që sipas policisë duket se nuk është i Lazaratit. Dyshohet se droga është rritur dhe përgatitur në një nga fshatrat e thella të zonës së Krujës.

Rasti

Jo shumë javë më parë, po në portin e Durrësit një kamion u kap i ngarkuar me më shumë se 700 kilogramë hashash, i cili ishte nisur për në Itali. Policia tha se transportuesi, i cili u ndalua bashkë me mallin, as që ishte mundur ta fshihte hashashin që e kishte ngarkuar në pjesën e pasme të kamionçinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›