E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e 18 vjeçares në Tropojë, policia e nxjerr aksident

Gazeta Shqip

Tropoje komisariati policiseVrasja e 18-vjeçares nga polici, aksident

Nga hetimi paraprak mësohet se i arrestuari do të qëllonte në ajër gjatë kacafytjes

Sulejman Dida

Vrasja e ndodhur të premten në mëngjes në Lekbibaj të Tropojës dyshohet paraprakisht nga policia se ka qenë aksidentale, ndonëse nuk kanë dalë ende konkluzionet përfundimtare. Ngjarja e rëndë kishte për protagonistë dy familje të afërta të fisit Papleka, ku mbeti e vrarë 18-vjeçarja Gjyste Papleka. Autori Fran Papleka, 55 vjeç, një ish-polic, i vetëdorëzuar po mbahet në qeli, ndërsa nuk është e qartë situata mes dy familjeve, që aktualisht po vëzhgohen nga policia.

Konflikti

Burime nga vendi i ngjarjes, si dhe pohimet zyrtare të policisë flasin për një konflikt të viteve të fundit mes dy familjeve kushërinj mes tyre, të cilat, mëngjesin e së premtes ishin përfshirë në një grindje mes tyre. Në grindje ishin përfshirë, siç thuhet, gra dhe fëmijë, duke shtyrë dhe qëlluar njëri-tjetrin me grushte dhe mjete të forta. Në fshat thuhet se fillimi i sherrit lidhet me një burim uji të pijshëm, ndërsa të tjerë thonë se lidhet me ujin vaditës e të tjerë akoma thonë se konflikti lidhet me gardhin me dy familjeve, apo diçka e ngjashme. Sidoqoftë, pronësia qëndron në bazë të kësaj ngjarjeje tragjike, ashtu si në shumë ngjarje të tjera të rënda. Njerëzit thonë se në fshatra të ndryshëm të vendit këto mosmarrëveshje janë të zakonshme.

Polici

Nga ana tjetër, burimet nga policia e Tropojës thonë se natën e të enjtes, polici Papleka ka qenë me shërbim dhe ishte liruar nga shërbimi vetëm pak kohë para vrasjes. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë së Qarkut të Kukësit. Sipas policisë, sapo Papleka ka mbërritur në shtëpi, krejt i lodhur nga shërbimi, i lodhur edhe nga pagjumësia, është gjetur papritur para një sherri shumë të sikletshëm, ku familjarët e tij po ziheshin me familjen e kushëririt. Nuk e di si mund të ketë nisur sherri, por kur pashë njerëzit e familjeve tona, duke u kacafytur, më iku truri dhe veprimi i parë ka qenë një qitje pistolete në ajër, për të ulur tensionin mes palëve, mësohet të jetë rrëfyer pak a shumë 55-vjeçari para grupit hetimor pas shoqërimit të tij në dhoma e izolimit. Ai ka shtuar se ndërsa ka qëlluar në ajër, vajza i ishte hedhur përsipër, duke u plagosur në fyt. Nuk e di si mu hodh përsipër 18-vjeçarja, mbi të cilën, për asnjë arsye nuk do të kisha qëlluar, por ka qenë një shkrepje e pakontrolluar, sepse unë vetë u trondita, kur pashë se ajo po rridhte gjak, ka thënë autori Papleka, duke treguar pendesë të thellë për vrasjen.

Banorët

Polici mbështetet edhe nga opinioni në zonë. Banorët shprehen se polici Papleka ka qenë në gjendje të lodhur fizike dhe aspak normale për të menaxhuar një konflikt, ku ishte përfshirë edhe familja e tij. Një bashkëfshatar tha se kushdo do të humbte qetësinë nëse do të gjendej para një sherri, ku ndodhet familja, aq më tepër nëse do të vinte pas një turni të gjatë shërbimi dhe pagjumësie. Por tashmë, dy familjet janë futur në një sherr tjetër shumë më të rëndë se ai i pronës. Ata ende nuk janë qetësuar prej mortit. Sipas banorëve, edhe këshilli i pleqve të fisit, pas konkludimit se vrasja ishte rastësore (aksidentale) apo e qëllimshme, vendosin për qëndrimet e mëtejshme, kështu që policia po i vëzhgon të dy familjet e fisit nga frika e ndonjë krimi tjetër. Një banor nga Tropoja tha se raste të tilla duhen shikuar mjaft hollë, pasi ka ndodhur që në konflikte të ngjashme të vriten edhe vëllai me vëllain. Polici nuk shkoi nga puna e drejt me vra dikë, ai u gjend në një konflikt, të cilin edhe si polic duhej ta menaxhonte, edhe pa pasur familjen aty, shprehet një tjetër banor, ndërkohë që sot, polici i arrestuar pritet të dalë para togave të zeza, ku do të konkludohet edhe akuza ndaj tij.

Vrasja e 18 vjeçares në Tropojë, policia e nxjerr aksident burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›