I dyshuari për vrasje mbahet në burg me dëshminë e një 5-vjeçari
Familja e viktimës, e të arrestuarit dhe e babait të fëmijës, kundër prokurorisë
Vali Qyrfyçi
Durrës – Dëshmia e një parashkollori dyshohet se është prova kryesore mbi të cilën ka bazuar akuzat e veta ndaj 28-vjeçarit Ardit Hyskja policia dhe Prokuroria e Durrësit, ndërsa babai i fëmijës denoncon për shkelje të procedurës penale për marrjen në pyetje. Me kërkesë të prokurorit Drini Pali, gjyqtarja e seancës Shpëtime Pitaku ka vendosur që të lërë në burg të dyshuarin, ndërkohë që mësohet se nuk ka asnjë provë për arrestimin e tij, veç dëshmisë së të miturit, i cili ka qenë duke luajtur në momentin e krimit.
Shokohet familja
Që në fillim të seancës së djeshme, gjyqtarja kërkoi daljen nga salla të familjarëve dhe mediave të pranishme, ndërkohë që në të njëjtën sallë gjyqësore ndodheshin dhe palët e një tjetër çështjeje në gjykim. Ndërsa pritej të paktën caktimi i masës së sigurisë burg me afat, dalja nga salla e gjyqit e avokatit të Hyskjes, Ilir Pengilit ka shokuar familjarët. Gruaja e të arrestuarit ka shpërthyer në të qara, po ashtu dhe familjarë të tjerë. Ndërsa nëna e tij, Vera, thotë se nuk ka asnjë mundësi që i biri të jetë autor i krimit për të cilin akuzohet, pasi ka qenë gjatë të gjithë kohës në spital, tek i ati. Arditi, është djali i Tahir Hyskjes, ish-kryetarit të shoqatës së jetimëve në Durrës, i cili u tërhoq nga kjo detyrë pas sëmundjes që ka çuar dhe në paralizim të tij. Ndërkaq, edhe vetë familja e viktimës është shprehur se nuk beson se i arrestuari është personi që vrau Refik Lilën. Pak orë pas vrasjes së Refik Lilës në lagjen 18 të Durrësit, policia deklaroi zyrtarisht se ka arrestuar autorin e dyshuar dhe se pavarësisht mospranimit të krimit prej tij ekzistojnë prova shkencore të pakundërshtueshme. Ndërkohë, mësohet se prova bazë është ajo e një djali në moshë parashkollore, 5 vjeç, gjë që duket absurde.
Babai i të miturit
Denis Luku, babai i fëmijës deklaron se i mituri është marrë në pyetje pa praninë e prindërve nga policia e Durrësit, ndërkohë që dëshmia e tij mund ti kushtojë shtrenjtë një njeriu. Ai kërkon publikisht që dëshmia e të birit të mos merret për bazë në gjykimin e 28-vjeçarit të arrestuar, pasi për vetë moshën e dëshmitarit kryesor ajo është e pabesueshme. Djali po luante në lulishten para bllokut të pallateve së bashku me fëmijë të tjerë, kur janë dëgjuar të shtënat. Nga të shtënat, ai është trembur dhe është larguar me vrap duke qëndruar në distancë nga vendi ku ndodhi vrasja. Pas ardhjes së policisë, djali është marrë së bashku me persona të tjerë dhe dërguar në ambientet e policisë për tu marrë në pyetje. Fëmija ka qenë plotësisht i shokuar nga gjithçka ka përjetuar si nëpër filma, thotë Denis Luku. Sipas tij, të miturin e kanë pyetur në polici mbi atë që ka parë dhe i rrethuar nga persona të panjohur, për më tepër punonjës policie, që në perceptimin e kësaj moshe janë njerëz që të fusin në burg, fëmija dyshohet se ka pranuar gjithçka që i është thënë nga oficeri i policisë gjyqësore. Hetuesit e kanë pyetur pa praninë e prindërve apo të psikologes për afro 3 orë. A mund të përbëjë dëshmia e një fëmije që ende nuk ka hyrë as në shkollë një provë për të dënuar dikë?!, pyet i çuditur babai i dëshmitarit. Nga komunikimi me të birin më pas, ai ka kuptuar se edhe pyetjet kanë qenë të tipit diktues, si A iku me një makinë Benz ai që e vrau atë djalin?, Ishte i gjatë? Flokët i kishte të shkurtër?. Përgjigjet e pyetjeve të tilla kushdo që ka një fëmijë e di që nuk mund të jenë të pranueshme për shkak se perceptimi i fëmijës për gjatësinë trupore, apo përshkrimin e individit, si dhe dallimin e llojit të automjeteve është i cunguar, thotë babai i të miturit. Ndërkaq, prokuroria pranon se është respektuar Kodi i Procedurës Penale gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve, pa pranuar apo mohuar nëse dëshmia e fëmijës Luku është marrë në prani të prindit, element ky i domosdoshëm për të miturit. Në vendin e ngjarjes ka pasur edhe mjaft persona të tjerë, banorë të zonës dhe kalimtarë që mësohet se u janë shmangur deklarimeve, duke pohuar se nuk kanë mundur të fiksojnë detaje mbi autorin e vrasjes, pasi gjithçka ka ndodhur me shpejtësi, ashtu si dhe largimi i tij nga vendi i ngjarjes.
Prindi
Denis Luku, babai i të miturit deklaroi se policia i ka bërë pyetje diktuese djalit të tij për vrasjen e Refik Lilës
I dyshuari për vrasje mbahet në burg me dëshminë e një 5-vjeçari burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email