E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Behar Kastratit, 145 vjet burg

"Mos u mërzit o xhajë. Për pesë vjet do dalim, dikush do përgjigjet për këtë, të betohem. Hajt u mësuam me padrejtësira. Do dalim nesër. Dikush tjetër do jetë këtu (në kafazin të pandehurit)". 

Fatos Mahmutaj

Abedin Rexha, vetëm pak sekonda pasi kishte marrë 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, reagoi i qetë duke u dhënë kurajo familjarëve të tij që ndodheshin në seancën gjyqësore. Ndërsa Qamili, vëllai i tij më i madh që u dënua me burgim të përjetshëm duke u cilësuar organizatori dhe ekzekutori kryesor i viktimës, zgjodhi të mos fliste. Në momentet e fundit, duke përshëndetur familjarët, më i vogli i vëllezërve Rexha, Abedini, duke u drejtuar nga prokurorët, ndërsa gjyqtarët kishin dalë nga salla e gjyqit tha: "Vetëm pesë vjet do na zgjasë dënimi". Kurse i pandehuri i tretë në këtë proces, Brahim Geca që mori 20 vjet burg, nën akuzën e bashkëpunimit në vrasje nuk foli asnjë fjalë, ndërsa qëndroi në fund të kafazit, i ndarë nga dy vëllezërit me një kordon policësh të burgjeve. Gjatë gjithë seancës, Geca qëndroi me kokën ulur duke mos parë asnjëherë nga trupi gjykues, kurse dy vëllezërit Qamil dhe Abedin dëgjuan me vëmendje vendimin prej rreth 70 faqesh. Pas shpalljes së vendimit, duke u larguar nga salla e gjyqit, teksa shikonin në drejtim të dy prokurorëve të çështjes, vëllezërit Rexha kanë pohuar se atyre u është bërë padrejtësi dhe autorët e saj do të shikojnë çdo bëhet pasi të dënuarit të dalin nga burgu. 
Krimi
Motivi i krimit sipas gjykatës, ishte hakmarrja e Qamil dhe Abedin Rexhës, për vdekjen e vëllait të tyre Gani Rexha në vitin 1995, për të cilin fajësonin Kastratin, i cili ishte mjek rojë në spital dhe nuk i kishte dhënë ndihmën e parë. Sipas vendimit të djeshëm, më 8 korrik 2005, policia e Hasit është njoftuar nga Flamur Kastrati se që nga mbrëmja e një dite më parë nuk është paraqitur në banesë dhe nuk dihej vendndodhja e vëllait të tij Behar Kastrati 41 vjeç, lindur në Brut Has dhe banues në Krumë. Humbja e kontaktit me të nga familjaret ka ndodhur që prej orës 23:30 të 7 korrikut 2005 deri më 27 gusht kur trupi i tij u gjet i masakruar dhe i lidhur në dy shtylla betoni poshtë urës së fshatit Klosh. Gjykata tha se, nëpërmjet dëshmisë së Vjollca Kastratit dhe Fatmir Sadria u provua se Kastrati është rrëmbyer para pallatit ku ndodhej apartamenti i tij i banimit pranë xhamisë në Krumë, në një shesh pranë kryqëzimit të rrugëve që të çojnë te bashkia dhe në qendër të Krumës. Në këtë vend ku u gjetën çelësat e Beharit, dëshmitari Vladimir Bera, natën e 7 korrikut rreth orës 23:30 ka parë viktimën duke biseduar me dy persona. Këto u provuan edhe nga dëshmitë e Gecës në prokurori, i cili gjatë gjykimit i mohoi çka bëri që prokuroria të revokonte marrëveshjen e bashkëpunimit të lidhur me të.
Hakmarrja
 "Qamil e Abedin Rexha, lindur në Krumë dhe banues në Durrës; dhe Ibrahim Geca lindur dhe banues në Krumë, Has, janë autorët e rrëmbimit me pasojë vdekjen e Kastratit. Geca siç edhe u dëgjua përpara gjykatës nëpërmjet leximit por dhe riprodhimit audio-viziv të thënieve të tij kur bashkëpunoi me prokurorinë shpjegoi qartë dhe saktë çdo veprim të tij dhe të dy bashkautorëve të tjerë të kryerjes së kësaj vepre penale. Thëniet e Gecës përputhen dhe mbështeten nga prova dhe indicie të tjera mjaft të rëndësishme duke iu dhënë një vlerë provuese këtyre thënieve", pohoi gjykata në vendim. Sipas togave të zeza, Geca duke pasur njohje me viktimën Kastrati jo vetëm si bashkëqytetar, por dhe si mjek që kuronte nënën e Ibrahimit për rreth dy vjet, u jepte informacione dy vëllezërve Rexha për lëvizjet e tij, të cilët i kishin premtuar një avokat për dy vëllezërit të Ibrahimit të shpallur në kërkim. Gjatë njërit prej takimeve, siç e shpjegon Ibrahimi, Qamili është shprehur se: "...duhet me çdo kusht të takohem me Beharin se më ka një borxh,... për mungesë të shërbimit të tij më ka ik vëllai, ... për një kokërr në gjuhë më ka ik vëllai...".
Autorët
"Më një korrik 2005 Qamili e Ibrahimi janë takuar në Krumë, këtë herë kanë pirë kafe te klubi i Dan Rexhës. Më 2 korrik Qamili u takua sërish me Brahimin, kur i kërkoi ta ndihmonte se në çfarë ore kalonte Behari për në shtëpi. Në këtë takim Qamili i ka thënë Ibrahimit se do të vij më 7 korrik dhe do ta vras Beharin", tha gjykata, duke vazhduar se më 7 korrik, Brahimi rreth orës 18:00 e ka parë Beharin të ketë dalë nga zyra e tij që kishte te Shtëpia e Kulturës, Krumë dhe ka shkuar në drejtim të lokalit të vëllait të tij, Flamurit. "Siç edhe e kishin lënë, Ibrahimi dhe Qamili u takuan rreth orës 21:00 para dyqanit të Bajram Dautit. Qamili e Abedini i kanë rikërkuar Brahimit që të shohë dhe një herë a ndodhej apo jo Behari tek lokali i vëllait të vet. Pasi është kthyer ai u ka rikonfirmuar atyre, ndërsa duke pretenduar probleme për arsye shëndetësore ai ka refuzuar kërkesën e Qamilit për të qëndruar me ta. Pas kësaj Qamili dhe Abedini e kanë pritur atë duke dalë në ambientet pranë pallatit ku ai banonte, e pasi kanë kontaktuar drejtpërdrejtë me të, e kanë marrë në automjetin me të cilin lëviznin dhe e kanë vrarë më pas. Pastaj e kanë lidhur dy shtylla betoni dhe hedhur në liqenin e Fierzës në Kukës, vend ku është gjetur kufoma pas rënies së nivelit të ujit plot 50 ditë pas rrëmbimit të tij". Gjykata vlerësoi dje si provë në ngarkim të të pandehurve dëshmitë e nipit dhe mbesës së viktimës që pohuan se kishin marrë thirrje në telefon se Beharin e kishte mbytur Qamil Rexha. Më tej gjykata sqaroi se, edhe dëshmitari Sokol Olldashi, thëniet e të cilit u pranuan pa rezerva për shkak të pozicionit të tij, ka pohuar në proces se nuk i kishte takuar dy vëllezërit Rexha mbrëmjen e 7 korrikut 2005. Në fund gjykata tha se dëshmia e Olldashit, rrëzoi alibinë e dy të pandehurve.

Kufoma e ish-kreut të PD, u gjet pas 50 ditësh në liqen

TIRANE - Trupi i pajetë i mjekut Behar Kastrati u gjet më 27 gusht 2005 në fshatin Kolsh, plot 50 ditë nga zhdukja e tij. Sipas vendimit të gjykatës, në rrugën automobilistike Kukës- Tiranë, në vendin e quajtur "Ura e Kolshit" 5 metra nga këmba e katërt e urës dhe 8 metra nga bregu verior i liqenit ndodhej një kufomë e dekompozuar, e zhytur në ujë ku dallohej pjesa e prapme e kokës dhe shpina. Gjatë këqyrjes së vendngjarjes së nxjerrjes së kufomës, që rezultoi se i përkiste mjekut Kastratit, u konstatua se ishte e lidhur me dy shtylla betoni nëpërmjet telave të shtyllës dhe një litar në qafë, trung dhe këmbë. Identifikimi i kufomës që kishte nisur të dekompozohej u bë nga mjeku Qamil Cenalia me profesion mjek stomatolog, i cili ka shpjeguar se trupi i pajetë i përkiste mjekut Kastrati. Stomatologu e vërtetoi këtë me faktin se ishte mjeku që kuronte dhëmbët e viktimës dhe kishte dijeni të plotë mbi të dhënat dentare të tij. Ekspertiza mjeko-ligjore nxori se shkaku i vdekjes së tij ka qenë asfiksia mekanike nga shtrëngimi i qafës me mjet të fortë, si: lak, tel apo duar. f.m

Rexhajt pas vendimit: U dënuam padrejtësisht, vrasësit janë të tjerë

TIRANE - Do të dalim nga burgu shumë shpejt, dhe atëherë do të shikoni ç'do të bëjmë për këtë padrejtësi. Këto kanë qenë fjalët paralajmëruese që vëllezërit Qamil e Abedin Rexha kanë artikuluar dje pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ndërsa shikonin në drejtim të prokurorëve të krimeve të rënda që mbrojtën akuzën ndaj tyre. Vëllezërit kanë pretenduar se në adresë të tyre është bërë padrejtësi dhe se ata nuk janë autorët e vërtetë të krimit. "Shumë shpejt dikush tjetër do të burgoset për atë krim, do të dalë personi dhe do ta shikoni këtu, ju betohem", janë shprehur vëllezërit Rexha nga Hasi, pas vendimit të shpallur dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Sipas burimeve nga kjo e fundit, reagimet agresive dhe komunikimi i ashpër i të pandehurve nuk ka munguar gjatë gjithë procesit gjyqësor. Megjithatë ditën e djeshme, në fund të gjyqit në shkallën e parë, kur mësuan dënimet kapitale në adresë të tyre, dy vëllezërit duket se kanë qenë më të prerë në qëndrimin e tyre duke artikuluar fjalë kërcënuese në sallën e gjyqit, në një kohë që po shikonin në drejtim të dy prokurorëve të krimeve të rënda që mbrojtën akuzën në këtë gjykim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›