Vrasja e Camajt, hetohen bizneset dhe e kaluara
Hetuesit përqendrojnë veprimet e tyre në pistat e hakmarrjes, si dhe në një krim që lidhet me pronat. Dyshohet për plagosjen e një taksisti
Policia shoqëron më tepër se 20 persona për ngjarjen në cilësinë e dëshmitarëve dhe atyre që kanë dijeni për rrethanat e hetimit
TIRANË- Një ditë pas vrasjes së Spartak Camajt në rrugën "Sulejman Delvina", në kryeqytet, policia është përqendruar në dy pista hetimi në lidhje me ngjarjen, ku pista e parë është ajo e hakmarrjes që lidhet me të kaluarën e viktimës. Ndërkaq pista e dytë e tij, mësohet se ka qenë bizneset dhe pronat e të vrarit Camaj.
Në pistën e parë policia ka renditur historikun e të vrarit Camaj dhe të kaluarën e tij, që sipas hetuesve është e njohur për ta, por ky fakt duket se ka komplikuar edhe më tepër hetimin e organeve të policisë dhe të prokurorisë në lidhje me këtë krim, për shkak se në ngarkim të tij policia ka pasur dyshime të ndryshme për disa ngjarje.
Veç rrëmbimit të dy femrave në bashkëpunim me një person tjetër në vitin 2002, grabitje dhe vjedhje, Camaj, është dyshuar edhe për plagosjen e një taksisti afërsisht një vit e gjysmë më parë. Kjo ngjarje, sipas burimeve të policisë, ka ndodhur në kombinat, ndërsa autorësia ende nuk është zbardhur nga hetuesit.
Në këtë mënyrë, kërkimet e grupit hetimor duket se i janë drejtuar pistës së vrasjes së Camajt për motive hakmarrjeje. Ndërkaq, në pistën e dytë hetuesit po punojnë për të zbardhur krimin, që dyshohet se mund të ketë lidhje me bizneset dhe investimet ku ai ishte përfshirë, ndërsa është radhitur në pistat e ngjarjes edhe krimi për motive pronësie, pavarësisht se për hetuesit ai nuk është shumë i mundshëm.
Disa orë pas vrasjes së 35- vjeçarit Spartak Camaj, nga Yzberishti, forcat e policisë shoqëruan rreth 20 persona, si dëshmitarë dhe persona të dyshuar për ngjarjen që ndodhi të martën në mbrëmje.
Nga të dhënat e Policisë së kryeqytetit mësohet se viktima kishte rreth tre vite që ishte larguar nga Yzberishi, duke jetuar në një apartament pranë stadiumit "Dinamo", ndërsa banesa e prindërve, ku edhe u zhvillua ceremonia mortore ndaj tij, ndodhet në rrugën e "Kavajës", në vendin e quajtur ish- Parku i Autobusëve.
Në variantin zyrtar të Policisë së Tiranës për ngjarjen thuhet se në vendin ku u vra Spartak Camaj, janë gjetur prova të rëndësishme që do të çojnë në identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes.
Ndërkohë, burime të rezervuara të Policisë pohuan dje se nga hetimet paraprake për ngjarjen, bëhet fjalë për një person që është i dyshuar për ngjarjen, por hetimet e mëtejshme do të sjellin dhe zbardhjen e plotë të motiveve të vrasjes dhe personit që zbrazi mbi trupin e Camajt pesë plumba pistolete.
Mësohet se policia ka marrë në pyetje familjarët e viktimës, të cilët janë pyetur për veprimtarinë e 35- vjeçarit gjatë muajve të fundit apo nëse ka pasur ndonjë rast kërcënime ndaj tij.
Spartak Camaj është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë me një vit burg, për një ngjarje të ndodhur në tetor të vitit 2002, ku ky i fundit bashkë me një person tjetër u shpallën fajtorë për veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë.
Camaj u qëllua me pesë plumba pistolete në qafë, rreth orës 20:30 të së martës në rrugën "Sulejman Delvina", ndërkohë që ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak, dy orë pas ngjarjes. Krimi dyshohet se u krye nga një person i vetëm në momentet që ndodhej në veturën e tij, "Fiat Punto", me ngjyrë jeshile.