Vrasja e Heqimit, nëna dëshmitare okulare Im bir u qëllua në befasi, pas shpine
Grupi hetimor: Shpëtimi po pinte kafe me të ëmën, Verën, kur u vra. Dëshmia e së moshuarës

Lulezim Heqimi
E ëma e Shpëtim Heqimit (Lul Heqimit) është dëshmitarja kyçe e ekzekutimit të djalit të saj të tretë. Ndonëse e moshuara, Vera Heqimi, ka humbur katër djem deri tanimë, njëri prej të cilëve ndërroi jetë për shkak të një sëmundje të rëndë, ajo do të vuajë më shumë atë të Shpëtimit. Kjo, pasi në çastin që plumbat përshkuan turpin e djalit të saj 44-vjeçar, ajo ishte së bashku me të, në të njëjtën tavolinë. Vrasësi ka qenë i shpejtë dhe ajo nuk ka mundur ta paralajmërojë të birin. Ky fakt është bërë me dije për gazetën Shqip nga burime të Policisë së Shtetit, të cilat sqaruan se në dëshminë e saj, të dhënë para hetuesve, e ëma e Shpëtimit ka pohuar se në momentin kur i vranë të birin, ka qenë së bashku me të duke pirë kafe, në lokalin e lagjes pranë shtëpisë.
Dëshmia
Nga burimet mësohet se Vera Heqimi ka dëshmuar se autori i është dukur i zhdërvjellët në lëvizje. Ai erdhi me shpejtësi nga një rrugicë prapa lokalit dhe qëlloi menjëherë mbi Shpëtimin në kokë dhe në trup. Vrasësi e qëlloi nga prapa djalin tim. Gjithçka ndodhi brenda pak çastesh. Arrita ta shikoj autorin por nuk mund ta përshkruaj mirë, pasi ai u largua sërish me vrap nga rrugica që kishte ardhur. Nuk e kisha parë ndonjëherë në jetën time atë person. Kështu është shprehur para hetuesve nëna e vëllezërve Heqimi, e cila ka shtuar se në ato çaste është shokuar dhe nuk dinte çtë mendonte apo si të vepronte. Ndërkaq, e ëma e Shpëtimit nuk ka arritur ta ndihmojë policinë në identifikimin e autorit gjatë zhvillimit të seancës së njohjes.
Seanca e njohjes
Policia, që në momentet e para, ka ngritur dyshimet ndaj dy personave si autorë të mundshëm të ekzekutimit mafioz të 44-vjeçarit Shpëtim Heqimi. Një ditë pas ngjarjes, ata kanë shoqëruar dy të dyshuarit, por gjatë seancës së njohjes, ku ka qenë prezente edhe dëshmitarja kyçe, nëna e Shpëtim Heqimit, ajo nuk i ka identifikuar ata si autorë të vrasjes së të birit. Ajo ka pohuar se nuk ka arritur të fiksojë tipare të vrasësit dhe ka shtuar se dy të shoqëruarit nuk i ngjajnë me të. Po kështu mësohet të jenë shprehur edhe personat e tjerë, dëshmitarë okularë në vendngjarje. Kur kanë kaluar më shumë se dy javë që prej vrasjes së 44-vjeçarit Heqimi, në një lokal në lagjen Liri Gero në Fier, policia nuk ka ende një të dyshuar konkret për autorësinë e kësaj ngjarjeje.
Hetimet
Një grup hetimor është ngritur nga Policia dhe Prokuroria e Fierit për zbulimin e identitetit të autorit të vrasjes dhe kapjen e tij. Po verifikohet e kaluara e viktimës si dhe e të vëllezërve të tij. Dyshohet se ata kanë qenë të implikuar në trafiqe të ndryshme të narkotikëve, si dhe të kenë pasur konflikte me banda rivale. Burimet e bluve shtojnë se konfliktet e vëllezërve Heqimi i kanë pasur fillesat gjatë viteve 90. Policia ka shoqëruar dhjetëra persona që dyshohet se kanë dijeni mbi motivet e ngjarjes, si dhe dëshmitarët okularë, të cilëve u janë marrë deklarimet përkatëse, por pa ndonjë rezultat konkret. Nga rindërtimi i dinamikës së ngjarjes kanë lindur dyshimet se babai i dy fëmijëve, 44-vjeçari Shpëtim Heqimi survejohej prej kohësh nga vrasësit. Kjo, pasi ai dilte nga shtëpia gjithmonë i shoqëruar me vëllezërit e tjerë, ndërsa atë ditë, kur e qëlluan, ishte vetëm me të ëmën. Sipas policisë, dyshohet se autori të ketë qenë vrasës me pagesë.
Vrasja
Sipas burimeve të policisë, më 21 gusht, rreth orës 19:00, 44-vjeçari Heqimi ka qenë duke pirë kafe vetëm, në barin që ndodhet në fillim të Unazës së Re të qytetit të Fierit, një zonë shumë e frekuentuar nga kalimtarët në orët e mbrëmjes. Më pas, pak para atentatit ka mbërritur në lokal edhe e ëma, e cila e ka shoqëruar. Nga deklarimet e dëshmitarëve të vendngjarjes është mësuar se autori ka mbërritur aty prej një rrugice që ndodhet ndërmjet lokalit dhe një pallati aty pranë. Ai ka shtënë një herë drejt e në kokën e Shpëtimit dhe më pas ka qëlluar edhe pesë herë të tjera. Vetëm një predhë ka dalë bosh, kurse të tjerat janë ngulur në trupin e 44-vjeçarit, duke i marrë jetën. Sipas policisë në vendngjarje janë gjetur 6 gëzhoja dhe 1 predhë, model 54 të kalibrit 7.62 mm. Këto mësohet të kenë qenë provat e vetme konkrete të sekuestruara në vendngjarje.
Hetimet
Asnjë autor për vrasjet e tre vëllezërve Heqimi
Shpëtimi është vëllai i tretë i familjes Heqimi, i vrarë me armë zjarri. Një prej tyre, Arben Heqimi, është ekzekutuar në qendër të qytetit të Fierit në vitin 1998. Ndonëse policia ngriti dyshime ndaj personave të ndryshëm lidhur me autorësinë e kësaj vrasjeje, nuk ka ende ndonjë të dyshuar apo të dënuar për këtë ngjarje. Ndërkaq, në vitin 2005, vetëm një muaj pasi kishte kryer dënimin për një vrasje, u ekzekutua pranë banesës së tij me dy plumba në kokë edhe vëllai i vogël i Heqimëve, Rivelinua. Por, objekt atentati ka qenë edhe vëllai tjetër Bilbili. Në dhjetor të vitit 2000, ai u qëllua me armë zjarri, por arriti të shpëtojë duke marrë vetëm një plagë në dorë. Bilbili u prangos në korrik të vitit 2001 nga policia italiane si i dyshuar për krijim të një organizate kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Sipas publikimeve të mediave italiane, Policia e Torinos prangosi atëherë 14 trafikantë të dyshuar heroine, 8 shqiptarë dhe 6 italianë. Prokuroria e antimafies italiane i akuzoi ata për trafikim të rreth 150 kilogramëve heroinë nga Shqipëria përtej Adriatikut.
Vrasja e Heqimit, nëna dëshmitare okulare Im bir u qëllua në befasi, pas shpine burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip