Vrasja e Konomit, hiqen nga puna krerët e policisë së Vlorës
Pa u mbushur dy javë nga vrasja me eksploziv e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, të gjitha krerët e policisë të Vlorës janë larguar nga detyra që kishin. Urdhri për zëvendësimin e tyre është firmosur në Tiranë dhe motivacioni zyrtar është pikërisht vrasja e gjyqtarit. Por burimet zyrtare nuk kanë preferuar të komentojnë nëse është apo jo momenti i duhur për të larguar krerët e policisë në momentin kur kanë në dorë një hetim kaq të rëndësishëm.
Drejtori Ylli Metko, zëvendësdrejtori Myftar Demirlika dhe shefi i komisariatit Nikolin Thana, janë shkarkuar dhe transferuar në detyra të tjera. Sipas burimeve zyrtare të policisë, në vend të Metkos në Vlorë ka shkuar Drejtues i Parë, Nazmi Kotarja. Më parë se të vinte në krye të Policisë së Vlorës, Kotarja, ka kryer funksione të ndryshme drejtuese në Policinë e Shtetit. Kështu për një vit ai ka kryer, detyrën e Drejtorit të Policisë së Rendit dhe Sigurisë Publike. Pas kësaj detyre, ai u emërua në krye të Akademisë së Policisë e njohur tashmë me emrin Qendra e Formimit Policor. Pas disa muajsh në këtë detyrë, Kotarja, u emërua në krye të Drejtorisë së Arsimit Policor në Policinë e Shtetit, ndërsa vendin e tij në Akademinë e Policisë ia la Hamdi Fiorës, i cili la detyrën e zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në vitin 2010.
Në linjën e ndryshimeve në Policinë e Vlorës, në detyrën e zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit, është emëruar Elidon Veizi, i cili zëvendësoi Myftar Demirlikën. Veizi më parë ka kryer të njëjtën detyrë në Korçë si dhe ka drejtuar disa komisariate. Një kontribut të veçantë në hetimin e krimit në qytetin e Korçës, Veizi ka edhe në zbardhjen e vrasjes dhe masakrimit së një gruaje në këtë qytet e cila u gjet me kokë të prerë. Po kështu sipas drejtuesve të policisë, Veizi ka pasur një kontribut të konsiderueshëm pasi nën drejtimin e Drejtorit të Policisë së Qarkut të Korçës, në zbardhjen e një numri të konsiderueshëm ngjarjesh kriminale.
Në vend të Nikolin Thanës, që deri dje kryente funksionin e shefit të komisariatit të Vlorës, është emëruar kryekomisar Alfred Elezi, i cili është transferuar nga Mirdita. Nga ana tjetër Thana, një emër i respektuar në polici, ka zënë vendin e Elezit në komisariatin e Mirditës. Zyrtarisht Policia tha se ndryshimet e mësipërme kanë të bëjnë me rritjen dhe përmirësimin e punës së strukturave blu në policinë e Vlorës. Nga ana tjetër, burime të kupolës së Policisë thanë se ndryshimet lidhen pikërisht me ngjarjet e fundit të ndodhura në qytetin e Vlorës, si disa shpërthime me tritol vrasje djegie e grabitje. Vrasja e gjyqtarit Konomi, e cila mbetet ende e pazbardhur, ishte kulmi i krimeve që goditën qytetin bregdetar në Jug të vendit gjatë javëve të fundit.
Burgaj: Ndryshimet në polici për rastin Konomi
Drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj tha dje pasdite se ndryshimet më të fundit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës janë marrë për forcimin e rendit. Ai nuk përjashtoi përjashtuar faktin se ndryshimet ndodhën edhe për shkak të atentatit të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, por tha se janë normale. Ndryshimet e drejtorëve janë ndryshime që ndodhin shpesh në polici, por edhe për shkak të kësaj ngjarjeje. Sigurisht që vrasja e gjyqtarit ka ndikuar, deklaroi Burgaj.
Deklarata e Burgajt se ndryshimet e Drejtorëve ndodhin shpesh mund të nënkuptohet edhe si një fakt i paqëndrueshmërisë së strukturës aktuale të Policisë së Shtetit dhe efikasitetit të dobët të saj. Këtë deklarata Burgaj i bëri pas takimit të zhvilluar me homologun e tij austriak, takim i cili është mbajtur për shkëmbim eksperiencash mes dy vendeve, për luftën kundra krimit të organizuar. Në lidhje me hetimet që po zhvillohen në lidhje me vrasjen e Konomit, Drejtori i Policisë së Shtetit tha se po punohet intensivisht mbi zbardhjen e ngjarjes, por nuk dha ndonjë detaj të ri nga hetimet.
Ishte Emërohet
Drejtues Ylli Metko Drejtues i Parë Nazmi Kotarja
Kryekomisar Myftar Demirlika Kryekomisar Elidon Veizi
Kryekomisar Nikolin Thana Kryekomisar Alfred Elezi
