Skandali i ri me naftën virgine, operacioni rrezikoi të dështonte

Deputetja e PD, Albana Vokshi, partneri i se ciles eshte ne qender te skandalit te ri te naftes virgine
Sërish naftë e papërpunuar në tregjet shqiptare, sërish mallkim për makinat e shqiptarëve, sërish miliona lek shmangie nga detyrimet doganore, sërish një kompani pranë qeverisë në qendër të skandalit
Një tjetër skandal i kontrabandës së naftës së papërpunuar ka dalë në skenë pasi prokuroria ka arrestuar tre persona. Në qendër të këtij skandali është kompania Stream Oil Gaz, me pronar Arian Tartari, personi që bashkëjeton me Albana Vokshin, deputete e PD.
Prokuroria e ka organizuar operacionin e saj pa njoftuar policinë e qarkut të Fierit, për shkak se druhej se do dekonspirohej. Në fakt operacioni ka qenë në prag të dështimit. Kjo për shkak se të akuzuarit ishin lajmëruar më përpara. Ata nuk përdornin celularë dhe kanë boshatisur llogaritë bankare.
Njësoj si në operacionin e parë për naftën virgine, edhe kësaj here bëhet fjalë për naftë të papërpunuar, që nxirret nga kompania Stream Oil dhe shpërndahet në treg duke shmangur pagesat. Ndërsa i akuzuari kryesor për skandalin e parë të naftës vergine është në liri të plotë, pasi u arratis me një vendim gjykate që e la në arrest shtëpie, edhe ky skandal i dytë i naftës virgine ka rrezikuar të përfundojë me duar bosh. Si në skandalin e parë, kur si protektor i kontrabandës është vlerësuar nga ish- ministri i Ekonomisë Dritan Prifti se është Agron Kuliccaj, numri dy i policisë së shtetit, edhe në këtë aksion sërish policia ka mbrojtur skemën e kontrabandës dhe pastrimit të parave.
Ngjarja
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të dielën se ka ndaluar tre shtetas dhe ka nën hetim 11 të tjerë të dyshuar për transaksione fallco dhe si rrjedhim evazion fiskal përmes krijimit të një kompanie fantazëm, e cila shkarkonte fatura si partnere e kompanisë Stream Oil Gaz.
Burime zyrtare të Prokurorise së Përgjithshme dhe Policia e Shtetit, i thanë medies se prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Përgjithshme të Shtetit, gjatë operacionit të koduar Kompania guaskë bënë të mundur arrestimin e shtetasve Besnik Murataj, 37 vjeç, Dylejman Qerimi, 58 vjeç, Ervis Sinanaj, 32 vjeç, dhe detyrim paraqitje për Vangjel Profka, 58 vjeç dhe Sotiraq Sollaku, 51-vjeç.
Sipas organit qendror të akuzës, të ndaluarit dyshohen për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës dhe mashtrimit në bashkëpunim, falsifikimit të dokumentave, për moskallëzimit të krimit, falsifikimit të formularëve vulave dhe stampave, si dhe për deklarimit të rremë përpara prokurorit.
Sipas prokurorise, në muajin Prill të vitit 2010, shtetasi Murataj, në bashkëpunim me Ervis Sinanaj dhe Dylejman Qerimi, kanë krijuar një shoqëri tregtare Guaskë, inekzistente, të cilën e kanë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, me administrator Selman Doçin, dhe emrin e shoqërisë Mobil Albania, me objekt veprimtarie private në fushën e tregtisë me shumicë e pakicë, import eksporte të prodhimit të mobiljeve, mallrave të ndryshëm industrialë etj.
Sipas hetimeve rezulton se, kjo shoqëri është krijuar prej tyre me qëllim futjen në qarkullim dhe mbulimin e natyrës së krijimit të shumës së lekëve prej 50.000.000 lekë të reja. Gjithçka është bërë e mundur të realizohet prej tyre, vetëm pasi kanë siguruar një person të papunë dhe në gjendje tepër të vështirë ekonomike, shtetasin Selman Doçi, të cilit i kanë premtuar një rrogë mujore prej 100.000 lekësh.
Shoqëria Mobil Albania, rezulton të ketë kryer blerje të naftës bruto te shoqëria Stream Oil Gas l, si dhe me pas shitjen e saj. Ndërkohë që, nga hetimet rezulton që ky subjekt nuk ka deklaruar shitje sasinë prej 1266.562 ton.
Shoqëria Mobil Albania ka shmangur të gjitha detyrimet tatimore, ndërsa nuk ka paguar as TVSH-ën, Tatimin mbi të ardhurat apo sigurimet shoqërore, duke shmangur në këtë mënyrë të gjitha detyrimet ligjore, që kapin shumën 15.986.415 lekë. Hetimet kane konkluduar se, Dylejman Qerimi ka shërbyer si ndërmjetës kryesor për të lidhur Besnik Murataj me Selman Doçi.
Po ashtu i gjithë dokumentacioni është përpiluar nga shtetasi Ervis Sinanaj, me profesion ekonomist dhe me njohuritë e duhura ligjore si dhe të gjitha transaksionet bankare, ndërkohë që janë nënshkruar nga ana e shtetasit Selman Doçi.
Shtetasi Ervis Sinanaj, veprimet bankare i ka kryer ne BNT, duke u ndihmuar nga fakti se drejtor i kësaj banke ishte vëllai i tij, shtetasi Ilir Sinanaj.
Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Kledja Plangarica beri te ditur të dielën pasdite ne nje konference per shtyp se po hetohet edhe për 11 persona te tjere, pasi dyshohen si të përfshirë në këtë veprimtari te paligjshme.
Kompania Stream Oil, me të cilën ka deklaruar transaksione fallco është kompania ku është pronar Arian Tartari, partner i Albana Vokshit, deputete e PD.