E Diel, 1 Nëntor 2026

Videoja Meta-Prifti, Gjykata e Lartë zgjedh 3 ekspertët vendës

SHKRUAN: Leonard Bakillari 17-09-2011 11:35

Tiranë Gjykata e Lartë zgjodhi dje grupin e ekspertëve që do të marrin në dorë videon Meta-Prifti, e konsideruar si prova kryesore e procesit. Në seancën e djeshme, që nisi me rreth 30 minuta vonesë pa ndonjë shkak të bërë prezent, trupi gjykues përcolli në sallën e gjyqit procedurën e ndjekur për gjetjen e ekspertëve. Relatori i çështjes, Ardian Dvorani, tha se Gjykata e Lartë u ishte drejtuar me kërkesë zyrtare të gjitha institucioneve akademike në vend, ku kërkonin ekspertë me njohuri të posaçme tekniko-shkencore, që mund të angazhohej në këtë çështje. Pas përgjigjeve të këtyre institucioneve, gjykata kishte përzgjedhur tre ekspertë, dy prej të cilëve pedagogë të informatikës në Universitetin e Tiranës dhe në një universitet privat. Sipas gjykatës, te tre ekspertët vijnë nga fusha akademike dhe janë Ardian Olli, Ermal Beqiri si dhe Artur Rahmani, i cili është pjesë e Qendrës Shkencore të Shkëmbimit të Informacionit. Emri i Rahmanit u përzgjodh nga gjykata pas kërkesës së prokurorit, për të përjashtuar nga grupi i ekspertëve Dritan Zoton, i cili, sipas përfaqësuesit të akuzës, ishte shprehur më parë për këtë çështje. Prokurori tha se eksperti nuk mund të jetë pjesë e këtij grupi ekspertësh, pasi ai ka shprehur pikëpamjet e veta në një intervistë të dhënë për këtë çështje. Gjatë fjalës së tij, prokurori Bujar Sheshi kërkoi nga gjykata që pjesë e grupit të ekspertëve të bëhej edhe amerikani Glenn Brand, i cili kreu ekspertizën e parë të videos Meta-Prifti, duke arritur në përfundimin se ky regjistrim i fshehtë është autentik. Edhe avokatët e ish-zv.kryeministrit Ilir Meta kërkuan nga gjykata që në grupin e ekspertëve të përfshihej edhe një ekspert italian, i cili është me njohuri të posaçme shkencore në këtë fushë. Për të dyja këto kërkesa, gjykata u shpreh pas një pushimi të shkurtër, duke vendosur rrëzimin e tyre. Kërkesa e prokurorit u rrëzua, pasi akt-ekspertimi i ekspertit amerikan është shpallur më parë i pavlefshëm nga gjykata. Sipas gjykatës, të tre ekspertët do të paraqiten të premten e javës së ardhshme për të bërë betimin dhe për të marrë detyrat që do u caktohen për ekspertimin e videos Meta-Prifti, e cila sipas relatorit të çështjes është prova kryesore mbi të cilën prokuroria ka paraqitur kërkesën për gjykimin e ish-zv.kryeministrit Ilir Meta. Në fillim të seancës së djeshme nuk kanë munguar debatet mes përfaqësuesit të akuzës dhe trupit gjykues, për çështjen e shumëdebatueshme të radhës së marrjes së provave. Prokurori tha se gjykata duhet të revokojë vendimin e saj të mëparshëm për radhën e marrjes së provave dhe të procedojë ashtu sikundër parashikohet në ligj për këtë çështje. Sipas tij, është akuza ajo që përcakton radhën e marrjes së provave, të cilat duhet të fillonin me dëgjimin e dëshmive të Dritan Priftit dhe dëshmitarëve të tjerë, më pas me kryerjen e ekspertimit të videos dhe në fund me paraqitjen e provave shkresore. Por Gjykata e Lartë e rrëzoi kërkesën e prokurorit për revokimin e vendimit, duke u shprehur se nuk e sheh me vend ta rishikojë këtë vendim.

Veleshnja: Kërkuam dëshmitë dhe ekspertizën

Avokati Gëzim Vleshnja tha dje në gjyq se pala mbrojtëse ka kërkuar nga gjykata dëgjimin e dëshmitarëve të akuzës dhe paralelisht me këtë proces kryerjen e ekspertimit të videos Meta-Prifti, mbi të cilën prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta. Sipas relatorit të çështjes, gjykata është shprehur dhe ka arsyetuar radhën e marrjes së provave dhe ky arsyetim mund të shihet në vendimin e ndërmjetëm, të marrë për këtë kërkesë, të cilin palët e disponojnë. Seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta do të zhvillohet më 23 shtator, kur në Gjykatën e Lartë pritet të paraqiten ekspertët e caktuar për videon Meta-Prifti, të cilët do të kryejnë betimin dhe do të marrin detyrat konkrete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›