E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Bashkia e Tiranës “One Stop Shop” për lejet e ndërtimit

TIRANË-Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur sot në mbledhjen e radhës së qeverisë, se Bashkia e Tiranës po shqyrton mundësitë per krijimin e nje "One stop shop-i" për lejet e ndertimit. Berisha akuzoi se cështja e dhënies së lejeve për ndërtim në Tiranë gjatë këtyre viteve të fundit ishte kthyer në mjet korrupsioni.

"Jam inkurajuar nga fakti se Bashkia e Tiranës po shqyrton mundësitë per krijimin e nje "One stop shop-i" për lejet e ndertimit në kryeqytet. Lejet ishin shndërruar në mjet të tmerrshëm korrupsioni në këtë Bashki. Korrupsioni me lejet, e ka renditur bashkine ne vendin e 173 ne bote sa i takon lejeve te ndertimit".
Sipas Berishës këto procedura duhet të shndrrohen në procedura dixhitale. “Kështu realizohet transparenca maksimale”, theksoi kryeministri.

Kreu i qeverisë kujtoi se procedura ‘One Stop Shop’ ka rezultuar e suksesshme në vend dhe ka shënuar një hap të jashtëzakonshëm kundër korrupsionit.

Kryeministri Berisha deklaroi gjithashtu se lufta kundër korrupsionit mbetet parimi kryesor i qeverisë si kusht vendimtar për suksesin e çdo reforme. Duke folur në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha theksoi se do të vazhdohet më tej me reformat duke punuar më fort për transparencën.

“Ne kemi bërë një punë shumë të madhe në lidhje me transaprencën por ne duhet të vazhdojmë këtë betejë çdo orë çdo minut, cdo ditë. Themeli i të gjithë suksesit të modelit ekonomik të Shqipërisë është rezultati i luftës kundër korrupsionit. Ne kemi vendosur standartet më transparente. E shndërruan Shqipërinë në vendin e parë në Europë dhe botë me prokurime elektronike dhe ne do të bëjmë që çdo procedurë të jetë transparente” ka theksuar Berisha.

Regjistrimi i popullsise
Ndërkohë duke iu referuar regjistrimit të popullsisë, kreu i qeverisë e ka cilësuar si arritje të madhe realizimin e keti procesi. Sipas tij ku census zhvillohet mbi bazën e një dokumentacioni të teknologjisë më të lartë, të kartave të identitetit dhe të adresave ndërsa shtoi se regjistrimi do të bëhet pjesë e një Shqipërie të dekadës së dytë të shekullit të 21.

“Është regjistrimi i parë që bëhet në një vend që nuk është ai që ishte 20 vjet më parë. Është regjistrimi i parë që bëhet në një vend që i përket vendit që ka bërë ngjitjen më të shpejtë se çdo vend tjetër. Është regjistrimi i parë që bëhet në një vend që po krijohet një klasë e mesme në shoqërinë shqiptare” ka shtuar Berisha.
Sipas Berishes, kundërshtarët e këtij procesi madhor janë sharlatanë që mbi te gjtiha kane frike per mandatet qe gezojne.
“Ata janë sharlatanë, të vërtetë. Mjeranë politikë, ‘Haxhi Qamilë’ me 100 flamuj, duan t’i trembin shqiptarët me identitetin e tyre për shkak të mandateve se u ikin nga duart dhe besojnë se mund të kacavirren në kurriz të tyre” .
Kryeministri duke iu drejtuar zërave kundër regjistrimit te popullsise tha se "nuk mund të kundershtosh regjistrimin e qënies tënde biologjike, sociale dhe ekonomike".
Ai e konsideroi kete si nje proces madhor nderkombetar ne interes te shqiptareve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›