Vrasja e Qerim Malokut në 1998, i pafajshëm Ilir Xhakja
Durrës/Gjykata e Apelit në Durrës, ka shpallur ditën e djeshme pafajësi për Ilir Xhaken, personin e vetëm të akuzuar si vrasësin e Qerim Malokut në Katund Sukth të Shijakut, më 1998. Ilir Xhakja, i akuzuar për këtë vrasje, është edhe në një tjetër proces të bujshëm për ekzekutimin e kryekomisar Adem Tahirajt më 13 shtator 2012, po në Sukth të Shijakut. Vendimi i ditës së djeshme është thuajse i njëjtë me atë që është dhënë dhe në vitin 2011 nga gjykatësi Neritan Tabaku, i cili sot përballet me akuzën për shpërdorim detyre, i denoncuar edhe nga KLD dhe prokuroria pas një procesi hetimor dhe verifikues. Tabaku u akuzua se pasi i dha pafajësinë Xhakjas, mbajti të pazbardhur për më shumë se një vit vendimin, duke mos i dhënë mundësi prokurorisë që të apelonte. Por edhe apelimi i kryer nga organi i akuzës Durrës, nuk çoi në ndryshimin e fatit të dosjes.
Vendimi
Për mungesë provash, ditën e djeshme, gjyqtari Petraq Dhimitri, vlerësoi se Xhakja nuk mund të dënohej me çerek shekulli burg për vrasje. Prokuroria kishte kërkuar 25 vite dënim në rigjykimin e kësaj dosje që ishte kthyer nga Gjykata e Lartë para katër vitesh. Më herët për vrasjen e Qerim Malokut, Xhakja ishte dënuar me 24 vite burgim, por pas ankimit dhe rekursit ai fitoi të drejtën për rigjykim nga Gjykata e Durrësit. Shkak ishte bërë fakti se dosja u gjykua nga Krimet e Rënda për mungesë kompetence. Në rigjykim, gjyqtari Tabaku dha pafajësi pasi vetëm një gjurmë gishti në gëzhojat e gjetura në vendngjarje nuk përbënte provë. Kurse dëshmitarët për këtë krim të 15 viteve më parë ishin tërhequr.
Vrasja në 1998
Vrasja e Qerim Malokut në korrik 1998 ka ardhur pas një konflikti mes grupeve në Shijak. Ilir Xhakja është arrestuar edhe në 2007 nga specialet, por më pas u lirua. Aktualisht akuzohet për vrasjen e shefit të komisariatit Shijak, Adem Tahiraj, në një operacion për kontroll mjetesh e armësh. Xhakja u kap në ndjekje afër fshatit Shëna Vlash disa orë më pas. Edhe dje argumenti i trupit gjykues në Apel ka qenë i njëjtë, se vetëm gjurma e gishtit te gëzhoja nuk përbënte provë bindëse për autorësinë e vrasjes dhe se duheshin prova shtesë. Në këtë mënyrë edhe shkalla e dytë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Durrës për pafajësi të Ilir Xhakjas.
*************
Katër hajdutët kapen gjatë grabitjes së një banese
Milot/Të armatosur dhe me maska tentojnë të grabisin një shtëpi në Milot, por pas përleshjes me të zotin e banesës largohen dhe policia i kap në ndjekje. Katër të rinj janë arrestuar nga policia e Kurbinit pasi akuzohen se kanë tentuar të grabisin një banesë në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burime zyrtare nga Komisariati bënë me dije se janë arrestuar të dyshuarit Pjetër Lleshi, 18 vjeç, Klinsman Preçi, 19 vjeç, Besmir dhe Rivelino Veseli, vëllezër, përkatësisht 24 dhe 22 vjeç, të gjithë banues në qarkun e Lezhës. Denoncimi është bërë nga pronari i banesës, me inicialet Xh. S., se në rrethinat e Milotit, katër të dyshuarit i kishin hyrë me maska dhe të armatosur për ta grabitur. Ai ka ndjerë zhurmat dhe është zgjuar, duke u përleshur me dy prej tyre, pavarësisht se ishin me armë në dorë. Për pasojë 4 agresorët dështuan në misionin e tyre dhe u përpoqën të largoheshin. Mësohet se i zoti i shtëpisë ka njohur disa prej tyre duke i denoncuar dhe policia e Kurbinit është vënë në ndjekje për disa orë. Po dje uniformat blu lokalizuan dhe ndaluan 4 të rinjtë, ndërsa ka kryer disa sekuestrime dhe po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe nëse të dyshuarit kanë kryer grabitje të tjera.
*****************
Marian Kola strehohej nga një grup kriminal
Greqi/Prova të reja kanë dalë rreth aktivitetit të Marian Kolës dhe grupit të tij gjatë arratisjes disa mujore nga burgu i Trikalës. Sipas policisë greke besohet se shqiptarët e arratisur janë ndihmuar nga disa njerëz të tjerë dhe kjo bazohet në furnizimin e shpejtë më armë Kallashnikov. Provat balistike treguan se arma e përdorur në përballjen me policinë në fshatin Vrosina është përdorur dhe në sulme të armatosura kundër postblloqeve të policore në Boeotia në 16 qershor. Në sulmet e mëparshme, ku u vra një 25-vjeçare dhe polici grek, provat tregojnë se shqiptarët e arratisur kanë përdorur armë të tjera.
Shqiptari trafikant, kapet me 700 gr. kokainë
Rimini/Policia e Riminit ka mundur të sekuestrojë një sasi të madhe kokaine, posedues i së cilës ishte një i ri shqiptar. Lënda narkotike raportohet se është zbuluar fare rastësisht kur një banor i Riminit telefonoi policinë për prishjen e qetësisë, pasi nga apartamenti ngjitur vinin zhurma të forta. Sapo kanë trokitur në derën e apartamentit nga vinte zhurma ata janë përballur me kërcënime. Në këtë pikë kanë shqyer derën dhe e kanë gjetur veten përballë një njeriu krejtësisht të zhveshur, e në gjendje histerie. I ndaluari është Elton Saliaj, me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa iu gjetën dhe 700 gramë kokainë e valutë eurosh.
Dy aksidente, ndalohen shoferët për shpejtësi
Fier/Policia e Fierit ndaloi dy shoferë të dyshuar për aksidentin me vdekje dhe drejtim pa patentë. Hajri Bakiasi, 60 vjeç, banues në fshatin Mizë, të Divjakës, u ndalua pasi akuzohet se në rrugën Çermë-Divjakë, duke udhëtuar me mjetin e tij kamioçinë tip Benz, në Gërmenj i Madh, ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga dhe më pas është përmbysur, ku si pasojë është dëmtuar dhe ka gjetur vdekjen pasagjeri B. G., i cili udhëtonte në këtë mjet, si dhe u plagos vetë shoferi. Kurse Aleks Cuca, 26 vjeç, banues në Fier, u ndalua pasi drejtonte veturën e tij me targa gjermane pa patentë.
Digjet banesa, shpëton çifti i të moshuarve
Bulqizë/Një banesë është djegur plotësisht nga flakët në komunën Zerqan të Bulqizës mëngjesin e ditës së djeshme. Mësohet se në momentin e rënies së zjarrit në banesë ka qenë një çift të moshuarish, që jetonin vetëm për shkak se fëmijët e tyre ishin në emigracion, të cilët kanë arritur të dalin në kohë prej saj, pa u dëmtuar. Dyshohet se shkak i rënies së zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike. Bëhet me dije se banesa dykatëshe është djegur plotësisht nga flakët edhe pse banorët e zonës janë përpjekur të ndihmojnë në shuarjen e tyre. Të moshuarit që jetonin vetëm thanë se zjarri ra fillimisht në katin e parë për tu përhapur më pas me shpejtësi.