E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Tahirajt, Berisha: Drejtësia të jetë e rreptë

Berisha tha se ky është dëshmori më i fundit i atdheut, teksa garantoi qytetarët se drejtësia do të godasë me forcën më të madhe të ligjit.

“Ai ra në krye të detyrës në përpjekje për të garantuar rendin dhe qetësinë. Adem Tahiri, ka qenë një kryekomisar shembullor, trim i vendosur dhe me sakrificën e tij sublime iu faktoi kolegëve të tij dhe mbarë shqiptarëve se cili ishte kuptimi i lartë i detyrës për të. Kjo është një humbje e madhe për familjen në radhë të parë. Me këtë rast i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Ngushëlloj forcat e rendit për humbjen e një prej kolegëve të tyre, por i siguroi ato për mbështetjen më të plotë të qeverisë dhe besimit të saj të palëkundur se me forcën e ligjit do të ndëshkojë krimin dhe kriminelët aty ku ndodhen. Dje, një vrasës i përsëritur goditi kryekomisarin”, tha kryeministri.

Sipas tij, “drejtësia do të thotë me rreptësinë më të madhe fjalën e saj, sikundër do të hetohet në çdo element ky akt i shëmtuar. Duhet të garantoj qytetarët se policia e shtetit do t’i japë përgjigjen e merituar të gjithë atyre që me veprime kriminale tentojnë të prishin rendin dhe ligjin”.

Homazhe bëri edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila theksoi se drejtësia duhet të japë dënimin më të rëndë për autorin e ngjarjes. “Sigurisht që lajmi ishte tronditës, shokues për të gjithë ne. Pashë shokët e tij që qajnë, pashë miqtë e tij që dridheshin. Sigurisht që drejtësia do të gjejë fajtorin dhe dënimi do të duhet të jetë mjaft i rëndë. Adem Tahiri ishte trim. Ai punoi me përkushtim dhe me dashuri për atdheun”, tha ajo. /Start/

                                                                                             2012-09-14 15:08
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›