E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas një muaji mbyllet procesi zgjedhorNga TemaSocialistët dhe demokratët vijuan të shkëmbejnë dje akuza mes tyre në lidhje me vendimet që janë dhënë nga Kolegji Zgjedhor dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zëdhënësja e PS tha se drejtësia nuk dha

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Pas një muaji mbyllet procesi zgjedhorNga Tema

Socialistët dhe demokratët vijuan të shkëmbejnë dje akuza mes tyre në lidhje me vendimet që janë dhënë nga Kolegji Zgjedhor dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zëdhënësja e PS tha se drejtësia nuk dha drejtësi për procesin zgjedhor. Nga ana tjetër, demokratët thanë se Edi Rama ka dhënë shuma marramendëse për të blerë vota.

Këto përplasje të tyre vijnë vetëm dy ditë përpara shpalljes me shumë gjasë të rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Procesi i ankimimeve nuk ka ndryshuar asgjë në rezultatin zgjedhor, ndërsa socialistët kanë pretenduar fuqishëm se mund të arrihej transparenca për disa qarqe, ku mund të merrnin dhe një mandat shtesë.

Gati një muaj pas zgjedhjeve, Shqipëria pritet të përmbyllë procesin zgjedhor, që sërish është cilësuar i parregullt nga ndërkombëtarët. Ndoshta një muaj më vonë do të dalë dhe raporti i vëzhguesve të huaj, të cilët do certifikojnë procesin. Për shkak se procesi i numërimit ka qenë me shumë probleme, vlerësimi do jetë më negativ se deklarata e bërë një ditë pas zgjedhjeve, e cila duhet thënë se ishte shumë pesimiste për sa i përket standardeve.

Ndërkohë që tani po dalin frytet e një fushate të mbushur me manipulime, ku e gjithë makineria shtetërore u vu në shërbim të qeverisë. Ministri i Drejtësisë riktheu në detyrë një drejtor burgjesh që kishte liruar qindra të burgosur gjatë periudhës së fushatës, ndërsa disa banorë të një fshati në Mat, thonë se qeveria u premtoi një urë dhe ata i dhanë votën, por vetëm një ditë u punua tek ura dhe tashmë as që bëhet fjalë të vijojë ndërtimi i saj.

Kështu po ndodh me dhjetëra rrugë elektorale, të cilat u hapën me rrëmbim e tani nuk kanë fonde për të vijuar më tej.

Socialistët

Pikërisht çështja e rrugëve që janë hapur e që nuk kanë buxhet ishte në fokus të deklaratës së zëdhënëses së PS. “Sali Berisha akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, se e ka quajtur rrugën Durrës-Kukës “rruga e asgjëkundit”, duke prodhuar kështu shpifjen e ulët të ditës, në të njëjtën ditë që Kolegji Zgjedhor mbylli turpshëm maskaradën zgjedhore me shkeljen flagrante të ligjit dhe mohimin e përsëritur të së drejtës demokratike të opozitës për të bërë transparencë mbi kutitë e dyshuara të Beratit, Tiranës e Shkodrës.

Dje, Sali Berisha vijoi rrugëtimin e turpshëm të akuzave e të shpifjeve në adresën e kryetarit të Partisë Socialiste, ndërkohë që në rrugën e asgjëkundit hyri përfundimisht qeveria e shtatanike e çiftit të ri të politikës së vjetër, e cila doli, jo vetëm nga zgjedhje pa standarde demokratike, por edhe nga dhunimi i ligjit dhe së drejtës demokratike të opozitës deri në etapën e fundit të procesit, ku drejtësia nuk dha drejtësi, por vulosi padrejtësinë e pandershmërinë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Dje, Sali Berisha vazhdoi shfaqjen e inaugurimit të rrugëve pa buxhet, në përpjekjen për të fshehur krizën ekonomike dhe politike ku vendi tanimë ka hyrë realisht, në radhë të parë sepse Sali Berishës nuk i intereson vendi, por vetëm pushteti i përfitimeve për oborrin e tij familjar, interesat e të cilit do ta shtyjnë përditë e më shumë në rrugën e asgjëkundit qeverinë shtatanike të dalë nga krimi elektoral i 28 qershorit”, - tha zëdhënësja e PS.

Demokratët

Ndërsa zëdhënësja e PD sulmoi mediet për akuzat që i janë bërë rrugës Durrës-Morinë e tha se Rama duhet t’u kërkojë të falur shqiptarëve dhe kosovarëve.

“Edi humbësi nëpërmjet zëdhënëses së tij iu deklaroi shqiptarëve se nuk është ai që e ka quajtur “rruga e asgjëkundit” korridorin e kombit. Humbja i ka shuar kujtesën dhe e ka futur atë në amnezi të thellë. Jo vetëm Rama e ka shprehur këtë, por të njëjtën gjë kanë shprehur edhe në mediet e vendit, në ato të kontrolluara dhe të pakontrolluara nga Rama, zëdhënësit e tij, zelltarët dhe pseudo-analistët servilë të tij. Nëse ndjen sadopak pendesë për shpifjet, sulmet dhe etiketimin ndaj rrugës, le t’u kërkojë publikisht të falur rreth 6 milionë shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë. Edi Rama, pasi dështoi me presionet politike dhe shumat marramendëse, ndërmori sulmin e radhës ndaj Kolegjit Zgjedhor për vendimet e tij. Partia Demokratike ka dënuar dhe dënon sulmet ndaj institucioneve të vlerësimit të zgjedhjeve dhe të shqyrtimit të ankesave si një përpjekje e paskrupullt për të ndërhyrë dhe për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Por këto sulme që Edi Rama i formulon çdo ditë nga pozitat e humbësit, dëshmojnë përpjekjet e tij të dëshpëruara për të shmangur dhe për të maskuar përgjegjësinë e tij për humbjen e zgjedhjeve”, - tha zëdhënësja e PD.

Shpallja e rezultateve

Nga ana e tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpallë të hënën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, që shënon dhe certifikimin zyrtar të 140 mandateve në parlamentin e ri shqiptar. Sipas burimeve nga KQZ, pas përmbylljes nga Kolegji Zgjedhor të shqyrtimit të ankimimeve të subjekteve politike, të cilat nuk sollën asnjë ndryshim thelbësor në vendimet e Komisionit zgjedhor, KQZ pritet të deklarojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, gati 30 ditë pas zhvillimit të tyre.

Në mbledhjen e së hënës, KQZ pritet të miratojë vendimet për shpalljen e mandateve për tre qarqet e fundit, përkatësisht Fierin, Shkodrën dhe Tiranën, proces që do të finalizohet me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve 2009. Pas mbledhjes, pritet që kryetari i KQZ, Arben Ristani, të ketë një komunikim me mediet për procesin elektoral të 28 qershorit.

Deri tani, KQZ ka shpallur 81 mandate, ndërsa pritet të miratojë dhe 59 mandate të tjera, përkatësisht 32 në qarkun Tiranë, 11 në qarkun Shkodër dhe 16 në qarkun Fier.

Detyrimi për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve është parashikuar në pjesën e tretë të Kodit Zgjedhor, në nenin 167 të tij, ku thuhet se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ jo më vonë se 5 ditë nga data e shpalljes së rezultatit për shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›