E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Prokuroria po vonon, videoja e montuar

Tiranë- Një muaj pas publikimit të videos së përgjimit dhe në mungesë të një përgjigjeje nga Prokuroria mbi autenticitetin e saj, Ilir Meta i është drejtuar një studioje ligjore për ekspertizë. I ulur mes dy avokatëve të tij, Petrit Serjani e Gëzim Veleshnja, kryetari i LSI-së tha se ekspertiza tregoi atë që ai kishte deklaruar fill pas transmetimit të videos, montazhin e saj. Rezultatet e ekspertimit të videos së transmetuar në emisionin “Fiks Fare” dhe “Top Story” i ka lexuar para gazetarëve avokati Petrit Serjani. “Ne si grup avokatësh kemi kërkuar nga një studio ligjore e standardeve ndërkombëtare, për të bërë ekspertimin e videos që është shfaqur në televizionin Top Channel. Nga ekspertimi i videos, e cila shërbeu si material për ekspertim audio-viziv, rezultojnë konkluzionet si më poshtë: Në sekuencat filmike ku shfaqen duke biseduar dy persona, të njohur si Dritan Prifti dhe Ilir Meta, konstatojmë montime televizive në zë dhe figurë. Në sekuencat filmike të videos ka përsëritje disa herë të bisedave të ndryshme. Për shkak të ndërhyrjeve dhe manipulimit të bërë në zë dhe figurë të videos, nuk qartësohet konteksti i bisedës për shkak të prerjeve të pjesëve të saj në shumë pjesë”. Ai ka shtuar më tej se mes transkriptit të videos dhe përmbajtjes së titrave ka mospërputhje të shumta dhe esenciale, që deformojnë përmbajtjen e bisedës. Pas avokatit Serjani, fjalën e ka marrë kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili ka përsëritur se montimi televiziv ishte porositur nga Edi Rama. “Ekspertiza, e cila është e standardeve ndërkombëtare , e cila është ligjore, e certifikuar, është e konfirmuar dhe në hapat e mëtejshëm do të bëhet publike dhe do të investohet në të gjithë këtë proces transparence, tregoi, shumë thjeshtë dhe shumë qartë, se video e paraqitur ishte një masakër nga pikëpamje profesionale, televizive”, - tha Meta, duke shtuar se kishte manipulime skandaloze sa i përket zërit. Kryetari i LSI-së tha se Prokuroria në këtë hetim ka ecur me hapin e breshkës, edhe pse, sipas tij, ekzistojnë të gjitha mundësitë ligjore dhe teknologjike për të vërtetuar ose jo autenticitetin e kësaj videoje. Ai ka shpjeguar për mediat të gjithë hapat e ndërmarrë, në funksion të hetimit të Prokurorisë, që nga letra drejtuar Kryetares së Kuvendit për dorëzimin e imunitetit e deri te paraqitja vullnetare në Prokurorinë e Përgjithshme, për të dhënë deklarimet e tij në lidhje me akuzat e ngritura nga Dritan Prifti. “Jam sot këtu për të apeluar edhe njëherë tjetër, për të përshpejtuar këtë proces hetimi, këtë proces i cili është shumë i rëndësishëm edhe për kredibilitetin e institucionit të Prokurorisë. Unë nuk kam bërë dhe nuk bëj presione ndaj Prokurorisë për këtë çështje, absolutisht, kam qenë dhe jam i disponueshëm në çdo moment për të bashkëpunuar me të. Por, absolutisht që askush nuk ka të drejtë të zvarrisë këtë proces dhe Prokuroria nuk duhet të lejojë askënd të flasë në emër të saj, duke politizuar në mënyrë të qëllimshme këtë hetim, i cili duhet të jetë veçse transparent dhe ligjor”, - tha Meta.

Z. Meta, në lidhje me studion ligjore që bëri ekspertizën, a do ta publikojë ajo dialogun e plotë dhe të pamontuar?

Në momentin e duhur çdo gjë do të bëhet publike. Ne nuk dolëm në këtë konferencë sot për të bërë publike këto konkluzione, pasi natyrisht që është e rëndësishme që procesi i hetimit të ecë përpara dhe unë apeloj edhe një herë tjetër për të ecur më shpejt, sepse janë të gjitha mundësitë. Është e lehtë me teknologjitë e sotme të manipulosh video dhe audio sidomos, por është akoma më e lehtë për ta çmontuar manipulimin, sepse ekzistojnë teknologjitë më moderne. Ashtu sikurse ka akuza konkrete, ka persona konkretë dhe shpejtësia e këtij procesi mendoj se është e rëndësishme jo për kredibilitetin e Ilir Metës, unë jam shumë i qetë. Që në momentin që kam lënë dhe pozicionet e mia si zv. kryeministër dhe si ministër, por mendoj se kjo është shumë e rëndësishme për vetë kredibilitetin e Prokurorisë dhe për organet e zbatimit të ligjit në këtë vend.

Z. Meta, a mund të na thoni nëse video e dorëzuar në Prokurori nga z. Prifti është e plotë? Në bindjen tuaj për pafajësinë në këtë mes, a do të ngrini padi për z. Prifti dhe z. Rama? Dhe e treta, ju keni deklaruar më herët se jeni paralajmëruar për publikimin e kësaj videoje në një formë kërcënimi, por a jeni kërcënuar për një video tjetër që mund të publikohet?

Së pari, unë mund t’ju them se ekzistenca e origjinalit do të ndihmojë shumë procesin për të konfirmuar më me lehtësi montimet televizive nga ana teknologjike. Por unë nuk mund të flas në emër të Prokurorisë. Mos ma kërkoni këtë gjë dhe unë nuk kam ndërmend që ta bëj. Së dyti, lidhur me hapat e mëtejshëm, ne po e respektojmë këtë proces të cilin e ka hapur Prokuroria, në përfundim të këtij procesi ne do të marrim vendimit tona. Së treti, janë të lirë të botojnë, të publikojnë gjithçka që dëshirojnë, absolutisht. Unë e kam thënë dhe më parë se ekzistenca e kësaj videoje është përdorur si një shantazh, për të realizuar një koalicion tjetër, gjë që nuk ka ndodhur, unë kam qenë dhe jam i qetë se asnjëherë në jetën time nuk kam shkelur ligjin dhe jam i bindur që ky do të jetë një proces spektakolar. Edhe po nuk patën kurajën të tjerët ta çojnë në gjyq, këtë do ta çoj unë. Të gjithë të jenë të sigurt se ky është një proces që do të shkojë deri në fund.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›