Vrasja e ambasadorit në Libi, Panariti ngushëllon Clintonin

Ministri i Jashtëm Edmond Panariti, përmes një mesazhi ka ngushëlluar Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton për vdekjen e ambasadorit amerikan në Libi Chris Stevens dhe tre zyrtarë të tjerë.
"Me hidhërim të thellë mësova rreth sulmit mizor dhe gjakatar kundër Konsullatës amerikane në Bengazi, ku humbi jetën ambasadori i SHBA, Chris Stevens dhe tre pjesëtarë të tjerë të personelit. Me këtë rast, më lejoni Zonja Sekretare, t`Ju ngushëlloj Juve dhe nëpërmjet Jush familjet e të ndjerëve, duke ju shprehur ngushëllimet më të thella dhe ndjenjat e miqësisë më të sinqertë” thuhet në mesazhin e ngushëllimit.
Ministri Panariti thekson më tej se në këto çaste të vështira për bashkësinë e Shërbimit me Jashtë të SHBA-së, i cili është i angazhuar dhe po përpiqet të ndihmojë popullin e Libisë për një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të begatë, Shqipëria do të jetë përkrah diplomatëve amerikanë në kryerjen e këtij misioni.
Ndërkohë si pasojë e ngjarjes tragjike të datës 12 shtator 2012, ku u sulmua Konsullata amerikane në Bengazi, humbi jetën ambasadori Chris Stevens dhe tre zyrtarë të tjerë.