Vrasja e biznesmenit Behar Sofia, GJKKO dënon me 35 vite burg Jemin Sherën

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli fajtor dhe dënoi në mungesë me 35 vite burg, Jemin Sherën, i akuzuar si organizator i vrasjes së biznesmenit Behar Sofia, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2021.
Shera u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas GJKKO, Shera u deklarua i pafajshëm për akuzën “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i ameve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Në njoftimin zyrtar GJKKO thotë se llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Jemin Shera do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.
Nga hetimet ka rezultuar se Shera e ka marrë porosinë nga persona ende të paidentifikuar për të ekzekutuar Behar Sofinë dhe më pas ka vënë në zbatim planin, duke krijuar një grup të posaçëm kriminal.
Për ekzekutimin Gjykata e Posaçme ka dhënë 127 vite burg gjithsej për 5 pjesëmarrësit. Janë dënuar nga 30 vite burg 4 Bujar Leza, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Xhuljano Visha, ndërsa ekzekutuesi Ernejt Shyti u dënua me vetëm 7 vite burgim për shkak se u bë bashkëpunëtori i drejtësisë dhe zbardhi të gjithë ngjarjen. /j.p/