E Martë, 3 Nëntor 2026

Zbardhen kriteret për përfitimin nga Skema Kombëtare e Subvencioneve në Bujqësi

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Qeveria përmes Skemës Kombëtare në Bujqësi, adreson subvencione të drejtpërdrejta për fermerët dhe blegtorët duke i mbështetur ata në uljen e kostove dhe nxitjen e potencialit të prodhimit bujqësor vendas, që është mjaft i kërkuar nga tregu vendas dhe për eksport.

Kriteret për përfitimin nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2025, janë botuar në Fletoren Zyrtare, ku dhe është përcaktuar vlera e saktë që do të përfitojnë aplikantët fitues sipas kulturës së mbjellin, krahas financimit për naftën që përdorin për punime të mekanizuara në bujqësi.

Sipas vendimit të qeverisë, kulturat janë të ndara në tre grupime kryesore.

Sa i takon kultivimit të bimëve të arave, do të jepen 18,582 lekë/ha për kulturat pranverore si misër, fasule, luledielli, sojë,  sorgum.  12,714 lekë/ha për bimët e lashta si grurë, tërshërë, thekër, elb, foragjerë njëvjeçarë, industriale (patate, duhan, panxhar, pambuk. Dhe 8,802 lekë/ha për foragjerë shumëvjeçarë, bimë aromatike-mjekësore.

Në grupin e drufrutorëve, do të jepet pagesë për naftën për kultivimin e mollëve me 18,582/ ha, 15,648 lekë/ha për të gjitha llojet e frutave, ulli, agrume dhe  vreshta si dhe 13,692 lekë/ha për  arra, bajame, lajthi dhe gështenja të kultivuara si dhe 16,626 lekë/ha për të gjithë fidanët e bimëve farore, bërthamore dhe arrore.

Sa i takon grupit të tretë, kultivimit të perimeve,  pagesat për naftën variojnë nga 14,670 lekë/ha për të gjitha llojet e perimeve të fushës sezoni i parë, përfshi shalqi,  pjepër, luleshtrydhe dhe 16,626 lekë/ha për të gjitha perimet e serës, sezoni i parë.

Kriteret që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar nga skema e naftës, janë që të kenë tokë bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës; sipërfaqja totale për të cilën aplikohet duhet të jetë jo më pak se 1 ha, ndërsa madhësia e parcelave, me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha. Aplikimi për të përfituar nga masa e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet me vetëdeklarim.

Fermerët përfitojnë deri në 100% të vlerës, me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra. Për sipërfaqen mbi 10 ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”. Aplikimet i nënshtrohen procesit të verifikimit/kontrollit administrativ dhe për aplikimet fituese kryhet kontrolli në terren. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›