E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e deputetit të PS, Xhindi, ende mister shkaku

Vrasja e deputetit socialist Xhindi vazhdon të mbetet mister dhe ende nuk ka një version zyrtar për pistën e hetimit. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se është përcaktuar pista e saktë e vrasjes. Ndërkaq Nishani ka kërkuar zbardhjen. 

ROSKOVEC- Vazhdon të mbetet mister dhe pa asnjë autor të mundshëm vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindi mbrëmjen e së shtunës. Megjithëse grupi hetimor ka dhënë 4 pista hetimi për këtë vrasje, ende nuk ka asnjë detaj zyrtar mbi këto pista. Burime konfidenciale nga Prokuroria bëjnë të ditur se është zbuluar pista e saktë e vrasjes dhe është shumë pranë identifikimit të autorit, por për momentin nuk ka asnjë prononcim zyrtar për këto të dhëna.
Ndërkaq ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka udhëtuar drejt Fierit, ku për 20 minuta ka takuar krerët e grupit hetimor dhe ku mësohet se i ka kërkuar zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes së rëndë. Ndërkaq kamera e “News24” ka arritur të sigurojë dëshmi nga banorë të Roskovecit, komshinj të deputetit Xhindi, të cilët deklarojnë se kanë dëgjuar krismat e armëve, por duke menduar se mund të ishin fishekzjarrë.
Një nga banorët e këtij qyteti njëkohësisht dhe komshi me deputetin Xhindi rrëfen për “News24” se mundësia e largimit të autorit të ngjarjes mund të ketë qenë kjo rrugice qe shikoni ne ekran .
“Dëgjuam krismat dhe dolëm jashtë, më pas e morëm vesh nga televizori, ishte e pabesueshme. Nuk e besonte askush se mund të ishte vrarë Xhidni, krismat u dëgjuan të forta. Ka qenë njeri shumë i mirë, kishim hyrje dalje me të”- shprehen banorët e zonës.
Deputeti Fatmir Xhindi u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 21:00, ngjarje e cila alarmoi strukturat më të larta të shtetit. Presidenti Topi, kryeministri Berisha lideri i opozitës Edi Rama dhe i gjithë rrethi i politikës shqiptare kanë dënuar këtë vrasje dhe kanë kërkuar zbardhjen sa më të shpejt të saj. Ndërkaq, policia ka vënë në dispozicion 250 mijë euro për çdo person i cili ofron informacione që mund të çojnë në kapjen e autorit të vrasjes. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›