E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, lista provizore e kandidatëve për deputet

Kryetari Edi Rama takon një nga një emrat e përfolur si kandidatë për deputet. Akoma në pikëpyetje mbetet përfshirja në lista e Fatos Nanos, ish-kryetarit të PS-së. 

TIRANE-Kryetari i PS-së, Edi Rama është në ditët e fundit të hartimit të listës së plotë të kandidatëve për deputetë. Gjatë javës së kaluar dhe këto ditë, ai ka thirrur me radhë deputetët aktualë në takime të veçanta për t’u konsultuar me ta për emrat që do të përbëjnë listën për çdo qark. Në këto zgjedhje do të aplikohet sistemi proporcional rajonal, gjë që dikton edhe një rreshtim tjetër të figurave që do të kandidojnë këtë herë për mandatin e deputetit. Zyrtarisht nuk konfirmohet asnjë emër, madje as deputetët që janë aktualisht pjesë e këtij Parlamenti dhe e grupit të PS-së nuk kanë marrë një përgjigje përfundimtare nga kryetari i partisë Edi Rama, nëse do të vijojnë të garojnë për të përfaqësuar zonat e tyre. Disa prej tyre janë pritur nga Rama në selinë e PS-së gjatë këtyre ditëve dhe e kanë marrë një konfirmim, por ka të tjerë që ende nuk kanë të sigurt qarkun ku do të listohen. Valentina Leskaj, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafa, Ben Blushi, Erion Braçe, Taulant Balla, Arta Dade, Ermelinda Meksi, Blendi Klosi, Marko Bello, Rajmonda Stefa, Kastriot Islami, Namik Dokle, Andis Harasani, Shpëtim Idrizi, Arben Malaj etj, janë disa nga deputetët aktualë që e kanë marrë konfirmimin që do të jenë në listat e kandidatëve. Ajo që ndryshon për disa prej tyre janë qarqet ku do të kandidojnë. Shumë emra të rinj pritet që të përbëjnë listat rajonale të PS-së në këto zgjedhje. Mimi Kodheli mendohet të kandidojë për herë të parë si deputete. Aktorja e njohur, Luiza Xhuvani përflitet në këto ditë si një prej kandidaturave thuajse të sigurta për listën e Vlorës, pas Arben Malajt. Ajola Xoxe, Milva Ekonomi, Ermira Danaj, Lindita Nikolli apo Edlira Haxhiymeri janë disa nga gratë që për herë të parë do të jenë pjesë e listave të PS-së shpërndarë në qarqe të ndryshme të Shqipërisë. Akoma në pikëpyetje mbetet përfshirja në lista e Fatos Nanos. PS do ti dorëzojë KQZ në mes të këtij  muaji listën e kandidatëve për deputet.   
(s.g/GSH/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›