Vrasja e dyfishtë në Lushnje, në kërkim autori

Ka ndërruar jetë pas plagëve, 24 vjeçari Marsel Cani, i cili u plagos mbrëmë në një fshat të Lushnjes. Ngjarja e rëndë ndodhi në Toshkëz, kur Erjon Cjapi, 32 vjeç qëlloi me armë zjarri në një lokal të fshatit, duke lënë të vdekur në vend Rajmonda Sotën. Nga plumbat mbeti i plagosur rëndë edhe 24- vjeçari, i cili më pas ndërroi jetë në spital.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes autorit dhe 27-vjeçares, e cila ishte e martuar dhe nënë e një fëmije. 32 vjeçari ka debatuar me viktimën në lokalin e familjes së saj, dhe është larguar për tu kthyer i armatosur.
Mësohet se 24- vjeçari Cani ka tentuar të qetësojë situatën pas debatit, por ka mbetur i vrarë nga plumbat e kallashnikovit.
Pas kryerjes së krimit të dyfishtë, Erjon Cjapi është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa ka lënë pas armën tip kallashnikov. Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e 32-vjeçarit.