Vrasja e emigrantit, policia: Motive xhelozie

Policia ne vendin ku ndodhi vrasja e emigrantit
DURRES- Policia e Durrësit dha sot disa detaje lidhur me trupin e pajetë të gjetur një ditë më parë në zonën e ish Kënetës. Viktima Fatbardh Hysi mendohet se ka pasur grindje në familje ditët e fundit për motive xhelozie.
Policia thotë se është duke marrë në pyetje të gjithë familjarët e viktimës, ndërsa si pistë kryesore për hetimet mbetet ajo e konfliktit për motive xhelozie. Mendohet se Hysi ka patur një lidhje jashtëmartesore.
Emigranti i sapokthyer nga Greqia, u gjet i masakruar me levë e thikë. Familjarët e tij kishin denoncuar zhdukjen krejt papritur të djalit të tyre pak orë pas mbërritjes në Durrës.
Fatbardh Hysi, 34 vjeç, banues në lagjen Nr.14 të qytetit bregdetar u gjet nga banorët e zonës, të cilët më pas sinjalizuan policinë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, viktima kishte marrë plagë të rënda të shkaktuara nga një thikë dhe me mjete të forta. Dyshohet se fillimisht 34- vjeçari është rrahur nga autorët dhe më pas është goditur me levë në kokë e trup, si dhe me thikë.
Sipas denoncimit të familjarëve, ditën e enjte, djali i tyre, Farbardhi, ishte kthyer nga Greqia për të kaluar festat e fundvitit në familjen e tij. Por, rreth 2 orë pas mbërritjes, ai kishte marrë një telefonatë nga persona të paidentifikuar. Policia ka shtrirë hetimet ne disa pistë, ndërsa ka kërkuar që të bëhet edhe kqyrja e tabulateve telefonike.