Vrasja e komisarit të Shijakut, Xhakja: Për vetëmbrojtje, ishte i dehur
Tiranë- Teksa gjyqi i tij po shkon drejt fundit, i akuzuari për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj, Ilir Xhakja ka dalë me një alibi të fortë sot para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda në tentativë ti shpëtuar burgimit të përjetshëm të cilin e rrezikon nëse shpallet fajtor për krimin e rëndë.
Xhakja ka deklaruar sot gjatë dëshmisë së tij se ka qëllaur mbi Adem Tahirajn në kushtet e vetëmbrojtjes sepse sipas tij kryekomisari ka qenë i dehur dhe i ka drejtuar i pari armën duke e ofenduar nga familja.
Xhakja tha se Tahiraj në momentin e krimit ishte nën efektin e alkoolit sikurse dhe dy punonjësit e tjerë të policisë. Deklaratat e Xhakjes janë në kundërshtim të plotë me akuzën e prokurorisë që thotë se ishte Xhakja që e ka ofenduar Tahirajn dhe i ka drejtuar pistoletën që e mbante pa leje.
Ngjarja ndodhi për shkak të mungesës së dokumetancionit në makinën e nipit Xhakjes, të cilin policia kërkoi ta shoqeronte. Tanimë pritet dëshmia e një oficeri të policisë mbi ngjarjen.
Në seancën e mëparshme ish-shoferi i kryekomisarit Adem Tahiraj Fatmir Hoxha nuk ka pranuar të dëshmojë përpara trupës gjykuese të Krimeve të Rënda me pretendimin se ai është vetë i pandehur.
Në cilësinë e një dëshmitari të thirrur për të treguar atë çka pa nga afër pasditen e në Sukth, Hoxha ka qëndruar vetëm për disa minuta në sallën e gjyqit, duke mos pranuar ballafaqimin mes tij dhe të akuzuarit për këtë vrasje, Ilir Xhakjes. Por prokurori i çështjes, Eugen Beci i kërkoi gjykatës që të lexohen thëniet e dëshmitarit gjatë hetimeve paraprake.
Nga thëniet e tij Fatmir Hoxhes, dëshmitarit okular dhe i akuzuar për mos veprim për të penguar vrasjen e shefit të tij, në sallë u dëgjua se si u vra kryekomisari Tahiraj.
Prokurori citoi: Ndalimi i mjetit të nipit të Xhakjes ishte bërë në mënyrë rastësore dhe pikërisht atëherë kur ishte vendosur që mjeti të shoqërohej në komisariat aty kishte mbërritur një tjeter person me makinë luksoze dhe i veshur sportiv, që kishte pyetur se kush ishin ata.
I nipi, Ledio Ksanaj i ishte përgjigjur te mos bëhej merak pasi ishte thjesht punë dokumentash.
Hoxha në deklarimin e tij, shpjegon se pyetjes se kryekomisarit, “po ti kush je?”, Xhakja ishte përgjigjur duke e ofenduar kryekomisarin dhe në këtë moment, shpjego ish-shoferi, ka ardhur edhe vrasja e Kryekomisarit.