E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e kryekomisarit, Apeli lë në burg shoferin

Adem Tahiraj, kryekomisari i Shijakut i vrare (majtas) Ilir Xhakja, i dyshuar per krimin

Fatmir Hoxha, shoferi i kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, i vrarë më 13 shtator, do të vijojë të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e la të pandryshuar masën e sigurisë të vendosur nga Shkalla e Parë më 24 shtator të këtij viti. Efektivi Hoxha akuzohet nga prokuroria për “shpërdorim të detyrës”, për shkak se nuk veproi në momentin që i dyshuari Ilir Xhakja qëlloi mbi kryekomisarin Adem Tahiraj. Ankimi i efektivit të Policisë Hoxha u shqyrtua nga një treshe gjykuese e Apelit, në një seancë me dyer të mbyllura për publikun. Burime pranë Gjykatës bënë të ditur se i akuzuari Hoxha ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Sipas burimeve, ai nuk shfaqi asnjë pretendim para trupit gjykues, duke ia lënë në dorë mbrojtësit përfaqësimin. Nga ana e tij, mbrojtësi i Hoxhës mësohet se kërkoi një masë më të butë sigurie për klientin e tij. Këtë kërkesë avokati e ka argumentuar me disa probleme familjare të të akuzuarit Hoxha. Po sipas burimeve, përfaqësuesi i Prokurorisë në seancë ka kërkuar lënien në fuqi të masës së sigurisë “arrest me burg”, me pretendimin se nuk kishin ndryshuar kushtet e caktimit të saj. Në përfundim, trupa gjykuese ka vendosur lënien në fuqi të masës “arrest me burg” ndaj Hoxhës. Pak ditë më parë, Apeli për Krimet e Rënda la në “arrest me burg” edhe kolegun e Fatmir Hoxhës, Kastriot Gosturanin, po i pranishëm në Katund- Sukth, në momentin e vrasjes së kryekomisarit Tahiraj. Përmes mbrojtësit të tij ligjor, Gosturani pretendoi në Apel se para se të shkonte në vendin e ngjarjes, kryekomisari Tahiraj ishte përshëndetur miqësisht me vëllain e Ilir Xhakjes, të akuzuarit për vrasjen. Po sipas pretendimeve të Gosturanit, përpara se të shkrepte armën, Ilir Xhakja dhe kryekomisari Adem Tahiraj kanë zhvilluar një bisedë të qetë me njëri tjetrin. “Klienti im, për shkak të distancës prej disa metrash, nuk e ka dëgjuar bisedën mes tyre. Biseda mes tyre nuk të linte të dyshoje për ndonjë gjë të papritur. Vetëm pak sekonda më pas është bërë vrasja”, tha në atë seancë avokati i Gosturanit. Gosturani dhe Hoxha u arrestuan pak ditë pas ngjarjes nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, arrestim që u cilësua i paligjshëm nga ana e Gjykatës.

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›