Vrasja e oficerit të SHISH, dyshime për një kurth brenda “llojit”
Hetimi për vdekjen e Isa Çopës bie në gjurmët e një të dyshuari, i cili dyshohet se mund të ketë futur në kurth shefin e kundërzbulimit, ndërsa motivet ndiqen në dy pista
Tiranë Dymbëdhjetë ditë pas djegies së oficerit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Isa Çopa, prokuroria në bashkëpunim me policinë kanë mundur të mbledhin të dhëna të rëndësishme, që pritet të çojnë në zbardhjen e ngjarjes. Falë punës hetimore është bërë i mundur identifikimi i një personi, i cili dyshohet se mund të jetë ekzekutori i oficerit madhor të Shërbimit Informativ. Lajmi konfirmohet nga burime të rezervuara, të cilat thanë se grupi hetimor ka rënë në gjurmët e një të dyshuari, ndërsa hetimet e mëtejshme pritet të vendosin në do të ketë persona të arrestuar për këtë ngjarje. Hetimet për pistën e vrasjes dhe motiveve që mund të kenë çuar në këtë krim të rëndë, aktualisht janë ndarë në dy pjesë. Të dhënat tregojnë se i dyshuari mund të kishte njohje me oficerin e SHISH-it, por ka shërbyer për ta futur atë në kurth. Këto të dhëna, të cilat janë në verifikim e sipër nga grupi hetimor, mund të shërbejnë për gjetjen e motiveve që çuan në krimin e rëndë. Sipas burimeve mësohet se i dyshuari, për të cilin nuk jepet asnjë detaj, ka planifikuar me përpikëri krimin, madje pasi ka goditur në kokë 49-vjeçarin, ka djegur automjetin ku ai ndodhej me qëllim zhdukjen e gjurmëve. Pista e parë, e cila tregon se ekzekutori dhe viktima mund të kenë qenë të njohur përforcohet edhe nga disa detaje të skenës së krimit, apo edhe itinerarit të ndjekur nga Çopa para ekzekutimit. Por gjithashtu ekzistojnë dyshime se oficeri i SHISH-it mund të jetë futur në kurth nga ndonjë i njohur ose person kontakti, me të cilin Çopa bashkëpunonte gjatë punës së tij si kreu i kundërzbulimit në drejtorinë e Durrësit. Edhe detajet që fillimisht orientuan hetimet drejt pistës së vetëvrasjes, tashmë janë rrëzuar nga informacionet e mbledhura dhe hetimet e kryera nga policia, prokuroria dhe SHISH. Mesazhi që Çopa dërgoi në celularin e djalit të tij 15 minuta para se të ndërronte jetë, tashmë është konfirmuar se nuk është dërguar prej tij. Gjithashtu, një tjetër detaj i rëndësishëm që fillimisht hodhi dyshimet për vetëvrasje është edhe bidoni që Isa Çopa mori në shtëpinë e mbesës së tij 1 orë para vdekjes. Sipas të dhënave mësohet se në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë bidon plastik me përmasat që mbesa e oficerit të SHISH-it përshkruan në deklarimet e dhëna për policinë. Ekspertët kanë kërkuar përreth vendit të ngjarjes, por gjithashtu nuk është konstatuar asnjë element i tillë. Sipas tyre, bëhet me dije se pavarësisht djegies së automjetit, nëse brenda tij do të kishte pasur një bidon, patjetër që do të ishin evidentuar gjurmë të tij, pavarësisht shkrirjes nga zjarri. Këto të dhëna janë përforcuar akoma më tepër nga ekspertiza mjeko -ligjore, e cila evidentoi goditje në pjesën e pasme të kokës së oficerit të SHISH-it.
Ekspertiza: Fraktura dhune në kokën e Çopës
Dokumenti i skedës se vdekjes së Çopës, i lëshuar nga mjekët ligjorë, tregon se ngjarja ka ndodhur në orën 19:00 të datës 24 tetor, pra vetëm 30 minuta pasi ai ka dalë për herë të fundit nga zyra e tij. Në skedën e vdekjes ekspertët sqarojnë se dëmtimi i oficerit në kokë nuk është shkaktuar nga përplasja me timonin apo me derën, gjatë agonisë nga djegia. Specialistët pohojnë se e çara në kokë është në pjesën e sipërme të kafkës, e quajtur ‘rrethi i kapelës’, dëmtime të cilat sipas tyre janë gjithmonë të qëllimshme. Pikërisht këto të dhëna, përfshi edhe konkluzionet e mjeko-ligjorëve kanë bindur grupin hetimor ta klasifikojnë ngjarjen si vrasje dhe të hetojnë në këtë pistë, duke identifikuar edhe një të dyshuar. Isa Çopa, oficeri madhor i shërbimeve sekrete u gjet i djegur në makinën e tij në orët e para të mëngjesit të datës 25 tetor, në zonën e Currilave në Durrës.