E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në ’98, vjen nga Spanja i dënuari me burg të përjetshëm

Ekstradohet nga Spanja pas 13 vitesh Perikli Kule, i dënuar nga drejtësia shqiptare për një vrasje të ndodhur në vitin 1998 në rrethinat e Fierit. Më shumë se 13 vjet më parë, ai kreu një krim të rëndë dhe për t’i shpëtuar një ndjekjeje të mundshme policore, e fshehu kufomën në kodrat e Ardenicës. Por pavarësisht kësaj, fieraku 29-vjeçar Perikli Kule, tashmë 42 vjeç, ka përfunduar pas hekurave të qelive shqiptare, pasi u kap në Spanjë dhe u ekstradua në Shqipëri. Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ditën e djeshme, rreth orës 14:30 u krye ekstradimi nga Madridi i Spanjës, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Perikli Kule. Gjykata e Rrethit Fier, me vendimin nr.154, datë 8 korrik 1999, e ka dënuar Perikli Kulen me burgim të përjetshëm për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtjes pa leje“. Perikli Kule, më datë 8 shkurt 1998 është shpallur fajtor, pasi në bashkëpunim me dy persona të tjerë ka vrarë në Libofshë të Fierit shtetasin Vlash Dece dhe më pas e ka fshehur kufomën në kodrat e Ardenicës. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Madridin u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, shtetasi i mësipërm iu është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. H. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›