Autobusi përplas veturën, vdes nëna dhe fëmija 5 vjeç
Suela Shota 28 vjeç, e bija Kejsi 5 vjeç, dhe shoferi që drejtonte mjetin, Ardian Cani, humbën jetën pasi makina e vogël i preu rrugën një autobusi të linjës në Fushë-Krujë; djali 7-vjeçar i viktimës, rëndë në Spitalin Ushtarak
Fushë Krujë-Një vajzë 5 vjeçe, e ëma e saj dhe drejtuesi i mjetit, i afërm i tyre, kanë humbur jetën dje pasdite, pasi makina në të cilën udhëtonin, një “Ford”, u përplas nga një autobus linje ndërsa po hynte në rrugë kombëtare. I vetmi i mbijetuar nga pasagjerët e veturës, 7-vjeçari Elvis Shota ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, ndërsa nëna e tij Suela 28 vjeçe dhe motra e vogël Kejsi u gjetën të pajeta nga forcat e policisë dhe ata që tentuan të jepnin ndihmën e parë. Po ashtu i pajetë është gjetur edhe Ardian Cani, drejtuesi i mjetit në të cilin udhëtonin tre pjesëtarët e familjes Shota. Shkaqet e aksidentit janë ende të pazbardhura dhe policia njofton se ka filluar hetimet rreth tyre.
Ngjarja
Suela Shota udhëtonte me dy fëmijët e saj në makinën e Canit, një i afërm i tyre, nga fshati Bilaj ku jetonin, për në stacionin e trenit në Fushë-Krujë, ku më pas Suela Shota së bashku me fëmijët do udhëtonin për në fshatin Zhejë të Kurbinit, ku ajo kishte prindërit e saj. Nuk është ende e qartë se çfarë ka ndodhur në momentin e përplasjes. Sipas policisë shkaqet
ende ishin të paqarta, por bënë me dije se nga këqyrja paraprake e vendit të përplasjes dhe marrja në pyetje e pasagjerëve dhe shoferit të autobusit, dyshohet se drejtuesi i mjetit të vogël i cili ka humbur jetën në përplasje, nuk ka kontrolluar rrugën kryesore para se të futej në të. Sipas dëshmive që ka grumbulluar policia, drejtuesi i autobusit ka thënë se ka qenë shumë pranë vendit ku makina është futur në rrugë dhe me gjithë frenimin e ka pasur të pamundur të shmangë përplasjen. Kjo e fundit ka sjellë vdekjen e menjëhershme të drejtuesit të mjetit dhe vajzës së vogël e nënës së saj.
Hetimi
Autobusi e ka qëlluar në mes makinën e vogël duke e shkatërruar plotësisht atë, ndërsa duket se vetëm fati i ka kursyer jetën fëmijës tjetër vetëm 7 vjeç. Pasagjerët e autobusit nuk kanë pësuar dëmtime pas përplasjes, por një pjesë e tyre janë shprehur të tronditur për atë që kanë parë. Dëshmitarë kanë thënë se përplasja ka qenë mjaft e dhunshme dhe se për të nxjerrë viktimat nga makina është dashur ndërhyrja e forcave të zjarrfikëses për të prerë pjesët e makinës që pengonin nxjerrjen e tyre. Ndërkohë, polica ka shoqëruar menjëherë për në Spitalin Ushtarak djalin 7-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në repartin e terapisë intensive. Policia ndërkohë njofton se është duke kryer ekspertizën si dhe marrjen e dëshmive qoftë të drejtuesit të autobusit, ashtu edhe të pasagjerëve të këtij autobusi. Edhe pse flitet për një pakujdesi nga ana e viktimës Cani, pritet që të zbardhen edhe faktorë të tjerë të ngjarjes, që nga shpejtësia e autobusit e deri te momenti se si ka ndodhur përplasja.