E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret me 4 thika kunatin pas akuzave se i dhunonte motrën

SHKRUAN: Habjon Hasani 05-11-2011 10:15

Dramë familjare në Zall Herr të Tiranës, ku një 35-vjeçar vrau me thikë babanë e katër nipërve. Autori pranon krimin në polici: E vrava në gjaknxehtësi, pasi tentoi të rrihte motrën edhe para meje

Tiranë Një 41-vjeçar ka mbetur i vrarë dje në shtëpinë e tij, pasi u godit katër herë me thikë nga kunati i tij. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Zall Herr të Tiranës, ku Xhevdet Xhepa ka humbur jetën menjëherë pas plagëve të marra. Policia identifikoi si autor të vrasjes së babait të katër fëmijëve 35-vjeçarin Astrit Elezi, vëllai i gruas së viktimës, ndërsa motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë lidhen kryesisht me mosmarrëveshjet dhe situatën e nderë prej shumë muajsh në shtëpinë e viktimës. Burime policore i thanë dje MAPO-s se viktima prej shumë kohësh ishte i përfshirë në debate dhe mendohet se kishte ushtruar dhunë mbi gruan e vet, për shkak të vështirësive të mëdha financiare me të cilat përballej familja. Javët e fundit, gjendja duket se është rënduar edhe më tepër dhe për këtë shkak bashkëshortja e viktimës kishte kërkuar përkrahjen e të vëllait për të përballuar debatet dhe dhunën e ushtruar ndaj saj. Mesditën e djeshme, dy kunetërit kanë biseduar fillimisht duke kaluar në debate të tensionuara, gjatë të cilave 35- vjeçari Elezi ka goditur me thikë burrin e motrës së tij duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë pas ngjarjes 35- vjeçari është larguar së bashku me të motrën nga shtëpia, duke lënë kunatin të vdekur. Viktima kishte katër fëmijë, më i vogli i të cilëve ishte 4 vjeç. Banorë pranë fshatit ku jetonte çifti janë shprehur se prej vitesh kjo familje ishte në vështirësi të mëdha ekonomike dhe të dy bashkëshortët ishin të papunë dhe me 4 fëmijë për të ushqyer. “Xhevdeti punonte me raste në ndërtim, aty ku mundej të gjente punë. Janë shumë të varfër dhe prandaj kishin sherre, sepse kishin katër fëmijë për të mbajtur. Përfunduan shumë keq, nga varfëria dhe fukarallëku u erdhi e gjithë e keqja”, - u shpreh një fqinje e familjes. Të afërm të viktimës dje kanë penguar afrimin e medias në vendin e ngjarjes, ndërsa shenjat e tensionit dhe të nervozizmit ishin të dukshme tek të afërmit e 41-vjeçarit të vrarë në shtëpinë e tij. Burime policore i thanë dje MAPO-s se fill pasi ka kryer vrasjen, 35-vjeçari Elezi është larguar së bashku me të motrën e tij, ndërsa kjo e fundit është aktualisht në shtëpinë e prindërve të saj dhe në dispozicion të organeve hetimore që po zbardhin ngjarjen. Policia arrestoi pasditen e djeshme autorin e ngjarjes, i cili ka pranuar krimin duke pohuar para hetuesve se vrasjen e ka kryer në një moment gjaknxehtësie, pasi sipas tij, viktima kishte guxuar që të dhunonte motrën në prani të tij. Ndaj 35-vjeçarit Elezi ka nisur procedimi penal dhe ai akuzohet për “vrasje për motive të dobëta”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›