E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e oficerit të SHISH-it, hetimi në dorë të analizave në Gjermani

SHKRUAN: Leonard Bakillari 28-12-2011 13:08

Prokuroria e Durrësit ka nisur në Mynih të Gjermanisë indet e oficerit të vrarë Isa Çopa, për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Hetimet vazhdojnë të mbeten pezull, duke mos pasur asnjë pistë të fortë

Tiranë Ngjarja e mistershme, ku mbeti i vdekur oficeri i Shërbimit Informativ, Isa Çopa, vazhdon të mbetet ende e pazbardhur, në pritje të rezultateve të analizave nga një laborator i specializuar në Gjermani. Përcaktimi i saktë, nëse Çopa ka ndërruar jetë si pasojë zjarrit, apo e goditjes në pjesën e pasme të kokës, duket se ka stopuar hetimet e nisura nga prokuroria e Durrësit. Në pamundësi teknike për të arritur në një përfundim të tillë në Shqipëri, grupi hetimor ka vendosur t’u drejtohet fillimisht me një letërporosi autoriteteve gjermane, pasi në Mynih është një nga gjashtë laboratorët e vetëm në botë që janë në gjendje të kryejnë analiza të kësaj natyre. Pas konfirmimit të autoriteteve, drejt Gjermanisë është nisur një masë indesh, që mjeko-ligjorët kanë gjetur në pjesën e pasme të kokës, ku oficeri i SHISH-it dyshohet se është goditur me shkop bejzbolli para se të digjej në automjetin e tij. Analizat që do t’u kryhen indeve, sipas ekspertëve, do të përcaktojnë nëse Çopa është djegur i gjallë, apo është vrarë dhe më pas automjetit, ku ai ndodhej, i është vënë flaka. Alternativat e pritshme nga ekspertët shqiptarë, sipas burimeve të rezervuara, mësohet se janë dy. E para ka të bëjë me faktin nëse indet e dërguara për analizë do të rezultojnë me përmbajtje karboni, do të thotë se ai është djegur dhe plaga e gjetur në kokë mund të jetë shkaktuar si pasojë e përplasjes nga reagimi i trupit të përfshirë nga flakët. Por nëse analizat tregojnë se indet e marra në pjesën e pasme të kokës nuk kanë përmbajt karboni, do të thotë se ai është qëlluar me mjete të forta dhe më pas autorët e vrasjes i kanë vënë zjarrin automjetit, për të zhdukur gjurmët. Por një përcaktim i saktë për këto hipoteza të hedhura nga ekspertët shqiptarë do të jepet vetëm pas përfundimit të analizave të specializuara në Mynih të Gjermanisë, ku gjendet një nga laboratorët më të mirë në botë. Pavarësisht rezultateve të analizave, prokuroria e Durrësit vijon ta konsiderojë çështjen si vrasje, duke hetuar në këtë drejtim në bashkëpunim me ekspertët e Shërbimit Informativ. Nga hetimet e deritanishme ende nuk janë siguruar të dhëna për autorin ose autorët e dyshuar të vrasjes, nëse provohet që ngjarja e rëndë ishte vrasje me dashje, sikundër është regjistruar në dosjen e prokurorisë. Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen ka aktualisht nën hetim disa pista, përfshi edhe të dhëna që mund të lidhen me detyrën e rëndësishme që Çopa mbante në drejtorinë e SHISH-it në Durrës, por pa mundur të gjejnë një pistë bindëse që do të orientonte hetuesit drejt zbardhjes së ngjarjes. Sipas ekspertizës së Mjekësisë Ligjore, rezulton se oficeri i SHISH-it ka vdekur në orën 19:00 të datës 24 tetor në vendin e quajtur plazhi i Currilave, ku është gjendur i djegur në automjetin e tij. Në skedën e vdekjes ekspertët sqarojnë se dëmtimi i oficerit në kokë nuk është shkaktuar nga përplasja me timonin apo me derën, gjatë agonisë nga djegia.

Ekspertiza: Çopa u vra para se të digjej

Ekspertët mjeko-ligjore me raportin e tyre përcaktuan vrasjen si shkak të vdekjes së Isa Çopës. Sipas tyre, e çara në kokë është në pjesën e sipërme, e ashtuquajtur rrethi i kapelës, dëmtime, të cilat, sipas tyre, janë gjithmonë të qëllimshme. Pikërisht këto të dhëna, përfshi edhe konkluzionet e mjeko-ligjorëve, kanë bindur grupin hetimor ta klasifikojnë ngjarjen si vrasje dhe të hetojnë në këtë pistë. Isa Çopa, oficeri madhor i shërbimeve sekrete, u gjet i djegur në makinën e tij në orët e para të mëngjesit të datës 25 tetor, në zonën e Currilave në Durrës. Fillimisht ngjarja u dyshua si vetëvrasje, për shkak të disa elementeve, përfshi edhe një të shtënë nga arma e tij, por pas ekspertizës rezultoi se plumbi kishte qëlluar tavanin e automjetit. Zyrtarisht, ngjarja është regjistruar si vrasje me paramendim, në dosjen e prokurorisë së Durrësit, dhe do të vazhdojë të hetohet si e tillë derisa të provohet ose rrëzohet kjo pistë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›