E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje mes qytetarëve dhe Gardës te vilat qeveritare në Vlorë

Qytetarët nuk lejojnë rrethimin e zonës, pretendojnë se gjykata u ka dhënë të drejtë dhe se janë në pronë të tyre. Drejtoresha: Nuk janë pronarë, nuk kanë dokumente ose i kanë të falsifikuara

Konflikti midis Gardës së Republikës dhe pronarëve të tokës te Uji i Ftohtë ka rinisur sërish, ndërsa dje banorët kanë kundërshtuar rrethimin e zonës ku ndodhen vilat qeveritare dhe ku ata kanë kryer ndërtime. Menjëherë pas kësaj në ndihmë të Gardës janë dislokuar forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të cilët bashkë me Gardën janë përballur me pronarët, të cilët pretendojnë se ndërtesat qeveritare dhe toka për rreth janë në pronën e tyre dhe se askush nuk mund t’ua marrë atë. Konflikti ka filluar pasi banorët pretendojnë që ka një vendim gjykate që u jep atyre të drejtën e pronës dhe ata duan të mbrojnë ndërtimet që kanë bërë aty.

Garda ka tentuar dje të rrethojë zonën ku ndodhen vilat qeveritare te Uji i Ftohtë në Vlorë, por ka hasur në kundërshtimin e atyre që pretendojnë se janë pronarë të tokës dhe që nuk pranojnë që ajo të rrethohet. Banorët janë shprehur se askush nuk e merr dot tokën e tyre. Ndërsa kanë theksuar se ata kanë dokumente për këtë dhe kërkojnë të kenë të drejtë të vazhdojnë ndërtimet në tokën e tyre. Ata thonë se 4 muaj më parë pronarët fituan të drejtën të rinisin sërish punimet e lëna pezull para dy vjetësh. Por ndërkohë dje, pas 4 muajve punime në zonën e vilave qeveritare në Ujin e Ftohtë kanë zbarkuan forca të shumta policie, të gardës dhe të ndërhyrjes së shpejtë. Pronarët kanë debatuar me ta për vijimin e punimeve, pasi kanë frikë se ndoshta mund të ndërhyhet me forcë për shkatërrimin e punimeve.

Ndërkohë drejtoresha e Shërbimit të Vilave Qeveritare Vlorë, Barie Isufi, ka deklaruar se “pronarët kanë dalë me dokumente të falsifikuara”. “Është një problem i cili ka lindur që në vitin 2006 dhe ka vijuar më tej më 2008. Ka një vendim qeverie, një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 1999, ku Drejtoria e Shërbimit Qeveritar ka në administrim 15 hektarë tokë me objektet përkatëse, e cila administrohet nga Shërbimi Qeveritar, me një plan dislokimi të veçantë ruhet nga Garda e Republikës. Pas vitit 1999 e deri në këtë moment që jemi, nuk ka ndryshuar ky vendim. Ndërsa në vitin 2008 ka dalë vendimi tjetër i qeverisë, i cili kërkon hipotekimin dhe saktësimin e të gjitha rezidencave qeveritare jo vetëm për Vlorën, por edhe për qytetet e tjera”, ka thënë ajo.

Në lidhje me dokumentet që posedojnë pretenduesit për pronarë, Isufi thekson se ato janë të falsifikuara dhe nuk kanë vlerë. “Qytetarët janë të pajisur me dokumente prone, kanë vendime të komisionit të pronave me vërtetime fakti juridike, janë pajisur në kohë të ndryshme nga punonjës të ZRPP-së Vlorë me dokumente e vërtetime pronësie, të cilat hetimi dyvjeçar i Prokurorisë i Rrethit Gjyqësor Vlorë, i cili i ka hetuar në bazë të një kallëzimi dhe nga një dosje të dorëzuar nga krimi ekonomik i Tiranës dhe i Vlorës, i ka nxjerrë jo të sakta”, tha ajo. Sipas saj, pas kontrolleve të bëra nga të gjitha organet përgjegjëse, asnjë nga këta nuk ka të drejtë prone, madje, sipas saj, ata që pretendojnë pronësinë nuk kanë as të drejtë të hyjnë në këtë zonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›