E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ushtarakët, 150 emrat e rinj që përfitojnë pensione

ISSH publikon listën e përfituesve të pensioneve suplementare të pleqërisë dhe asaj të pensioneve të parakohshme, që u është lidhur pagesa deri në datën 28 tetor

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon emrat e rinj të 150 ish-ushtarakëve që do të përfitojnë pensione suplementare pleqërie dhe të parakohshme. ISSH bën të ditur se këtyre ish-ushtarakëve u është lidhur pensioni deri në datën 28 tetor, ndërkohë që përfituesit i përkasin kategorisë së pensioneve suplementare të pleqërisë dhe asaj të pensioneve të parakohshme. Në fazën e parë të rillogaritjes së përfitimeve bëjnë pjesë ata ish-ushtarakë që i përkasin kategorisë së pensioneve të parakohshme. Faza e dytë e përllogaritjes së pensioneve të ish-ushtarakëve janë ata të kategorisë suplementare, para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë. Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme. Aktualisht, procesi i rillogaritjes së pensioneve për ish-ushtarakët ka filluar të ecë ritmin e duhur, pasi institucionet përgjegjëse po dorëzojnë dosjet e dokumentacionit në ISSH, për të bërë lidhjen e pagesave. Deri më tani, sipas të dhënave nga ISSH-ja, janë caktuar mbi 40% e pensioneve suplementare, për pensionet e pleqërisë të reja, për ata që janë liruar para datës 30.06.1991. Sipas specialistëve të ISSH-së, në procesin e rillogaritjes së përfitimeve suplementare janë shfaqur disa probleme, për të cilat strukturat përkatëse nuk janë përgjigjur, ndaj dhe dokumentacioni i ardhur në drejtoritë rajonale të Sigurimeve Shoqërore është i papërfillshëm për këtë kategori. Nga ana tjetër, të gjithë ushtarakët që kanë përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, ish-ushtarakët që janë në pension dhe kanë përfituar pension suplementar pleqërie, kanë nevojë për konfirmime në dokumente që bëhen nga strukturat e linjës dhe më pas dërgohen në ISSH.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›