Vrasja e shqiptarit Strasburgu ndëshkon Italinë
TIRANE- Strasburgu ndëshkon Italinë. Në mes është jeta e shuar e një 19- vjeçari shqiptar rreth 14 vite më parë, nga arma e një punonjësi të policisë rrugore në Bergamo, vrasje që në të vërtetë nga drejtësia italiane u klasifikua si "vrasje e pavullnetshme". Akti i rëndë kaloi nëpër një sërë procesesh gjyqësore, por më në fund babai i viktimës nuk u pajtua me vendimin. Me ndihmën e dy avokatëve italianë, të cilët e kanë mbështetur në kërkimin e drejtësisë për vrasjen e të birit, e depozitojnë dosjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut, e nga aty mesditën e 29 marsit merret vendimi përfundimtar; Italia do t'i kthejë dëmshpërblim familjes së Julian Alikajt shumën prej 155 mijë eurosh. Gjykata sqaron se pritet ankimimi i palëve brenda tre muajsh dhe nëse nuk apelohet, atëherë vendimi hyn menjëherë në fuqi. Gjithçka ka ndodhur mesnatën e 2 dhjetorit të vitit 1997. Julian Alikaj, atëherë 19 vjeç, ka qenë duke udhëtuar bashkë me tre shokë të tij me një automjet tip "Rover 200", në autostradën A4. Të rinjtë nuk kanë pranuar të ndalen para thirrjes së efektivave të policisë, të cilët kanë kërkuar 'stop' pasi në drejtim të tyre kishte ardhur sinjali i vjedhjes së një automjeti që përkonte me makinën me të cilën udhëtonin të rinjtë. Mosbindjes për t'u ndaluar, policia rrugore i është përgjigjur me të shtëna në ajër, ndërkohë që djemtë kanë braktisur makinën pak metra më larg dhe kanë tentuar të zhduken nëpër një parcelë që gjendej në anën e autostradës. Në atë kohë, policia e konkretisht efektivi Agatino Russo ka qëlluar tri herë në drejtim të djemve dhe njëri prej plumbave ka kapur në shpatullën e majtë 19-vjeçarin Julian Alikaj. Djali vdes në vend, ndërsa 3 të tjerët mundën të largoheshin në drejtim të paditur.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)