E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet vendore Tryeza e partive pakti firmoset sot

TIRANE-Demokratët dhe socialistët i kanë dhënë kohë vetes deri të premten, 1 Prill për të vendosur nëse do ta firmosin marrëveshjen për zbatimin e Kodit Zgjedhor, si garancia më e mirë për ruajtjen e standarteve të procesit elektoral të 8 majit 2011.
Ndryshe nga pak ditë më parë, tryeza e se merkures e partive politike ka përfunduar me optimizëm për nënshkrimin e një marrëveshjeje të përbashkët. E zhvilluar me dyer të mbyllura në rang ekspertësh pas përfundimit të saj, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ndonëse u shpreh pro draftit të miratuar, ka kërkuar edhe përfshirjen e disa pikave që kanë të bëjnë me transparencën postzgjedhore, vendimmarrjen në KQZ, por edhe listën e zgjedhësve. "Partia Socialiste në funksion të tryezës së zhvilluar edhe dje, e nisur edhe nga qëllimi i mirë për të arritur një marrëveshje për ato pika esenciale që ne i kemi nxjerrë problem për zgjedhjet vendore, ka bërë një sërë propozimesh tek drafti që ka përgatitur Partia Demokratike, pra si një vullnet i mirë për të gjetur një zgjidhje para këtyre zgjedhjeve, pikërisht për ato kushte që ne i kemi quajtur esenciale për zgjedhjet vendore. Përveç pjesës që i takon transparencës postzgjedhore dhe që nuk ka efekte të menjëhershme në proceset e filluara, asgjë tjetër nuk ka të bëjë me Kodin, pra vetëm aspekti i transparencës postzgjedhore, gjë që fillon i shtrin efektet pas përfundimit të zgjedhjeve vendore", - tha Gjiknuri.
Ndërsa për ekspertin e çështjeve zgjedhore në Partinë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kërkesat e Partisë Socialiste nuk cenojnë Kodin zgjedhor. "Partia Socialiste, me sa duket i ka pranuar të gjitha propozimet që bëmë ne në marrëveshjen e djeshme, për shkak se nuk kanë bërë asnjë ndryshim nga teksti që ne kishim propozuar. Kjo vërteton se jo vetëm marrëveshja bazohet në mënyrë solide në rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe në Kodin Zgjedhor, por është edhe plotësisht e zbatueshme me vullnet të mirë politik. Nga ana tjetër ne do të shohim me kujdes të gjitha propozimet, kemi marrë kohën e përbashkët deri ditën e premte, për të gjykuar me kujdes për sa i përket aspektit të përfshirjes në mënyrë që këto kërkesa që ata kanë nuk janë të tilla që janë të pazbatueshme, ose që mund të cënojnë procesin", - tha Bylykbashi.

Ndërkohë burime pranë të dyja selive konfirmuan për mediat se gjatë tryezës, demokratët kanë deklaruar se në parim nuk janë kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Por sipas tyre, ato duhet të ndodhin pas 8 majit për shkak se Kodi nuk mund të amendohet një muaj përpara zgjedhjeve, për më tepër që për këtë çështje kërkohet më parë një opinion i OSBE/ODIHR-it, si dhe i Komisionit të Venecias. Ndërsa nga ana tjetër është bërë e ditur se socialistët kanë këmbëngulur që opinioni i këtyre institucioneve të merret për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa garancitë ligjore që nevojiten për procesin e 8 majit të miratohen me urgjencë.

I mbetet Partisë Demokratike tashmë të shqyrtojë draft-propozimin e socialistëve dhe për të vendosur që sot të firmoset një marrëveshje e përbashkët politike për të shkuar në zgjedhjet e 8 majit apo jo.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›