Vrasja ne Devoll, i jepet lamtumira vellait te tretë, autori ne arrati
KORCE- Familja Mulliri në fshatin Vidohov të Devollit ka përcjellë sot paradite për në banesën e fundit djalin e tyre të tretë, Etlevanin. Vëllai më i vogël ishte plagosur rëndë në masakrën e ndodhur tre ditë më parë, ku dy vëllezërit e tij mbetën të vdekur në vend. E ndërsa paraditen e djeshme ishte përgatitur ceremonia mortore Xhulianin dhe Taulantin, përkatësisht 25 dhe 23 vjeç, në shtëpi trokiti dhe koba tjetër. Etlevani nuk kishte mundur ti shpëtonte plagëve dhe zemra e tij ishte ndalur. Në ceremoninë e varrimit do të marrë pjesë dhe nëna e tyre. Liliana Mulliri, e cila aktualisht vuan dënimin me 25 vjet burg për vrasjen e 7 vjecarit Altin Xhihani, në vitin 2003. Ajo mbërriti dje me forca të shumta policie dhe ka qëndruar gati një orë në shtëpi para kufomave të dy djemve. Pas varrimit, nëna e vëllezërve të vrarë, Liljana Mulliri është marrë me vete nga forcat e policisë dhe është çuar në dhomat e burgut në Korçë. Mësohet se ajo nuk ka qenë e pranishme në ceremoninë mortore të djalit të vogël, Etlevanit.Policia thotë se vijojnë kërkimet për arrestimin e autorit të vrasjes së tre vëllezërve, Besim Karaj. Policia thotë se në operacionin e arrestimit janë angazhuar dhe forcat e RENEA-s dhe se kërkimet janë përqëndruar në fshatin Sinicë të Greqisë.Nga ana tjetër policia ka zbardhur plotësisht dhe motivin e krimit. Sipas policisë, 23-vjeçari Taulant Mulliri kishte një lidhje jashtëmartesore me gruan e Besim Karajt. Para dy muajsh, Karaj e kishte kapur në flagrancë Taulantin me të shoqen në shtëpinë e tij. Pas një zënkë me fjalë, ata i kishin sheshuar mosmarrëveshjet. Besimi ia kishte falur të shoqes ‘mëkatin’. Por, me kalimin e kohës, duke parë që në fshat pëshpëritej që Besimi nuk është burrë, si ia fali gruas tradhtinë, etj, akumuluan tek 45-vjeçari ndjenjën e hakmarrjes. Kjo ndjenjë hakmarrjeje shpërtheu mesditën e së premtes, duke çuar në një ngjarje të rëndë që do të mbahet mend si masakra e Vidohovës.(s.g/BalkanWeb)