E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia: Meta na garantoi për marrëveshje të re

ATHINE- Athina zyrtare ka reaguar për të dytën herë brenda harkut kohor të 48 orëve lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që e deklaroi të papajtueshme me ligjin themeltar të shtetit marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar. Ka qenë sërish ministri alternativ i Punëve të Jashtme, Dimitris Droutsas, që në një intervistë të dhënë dy ditë më parë për radion greke ‘NET’, garantoi se Greqia do ta respektojë vendimin e Drejtësisë shqiptare, edhe pse theksoi se për këtë zhvillim nuk ka mbetur e kënaqur. Deklaratën në fjalë, Droutsas e bëri fill pas takimit të zhvilluar në Londër me shefin e diplomacisë shqiptare, Ilir Meta. “Duhet të theksoj se ky është proces i brendshëm i Shqipërisë. Ne nuk mund të jenë të lumtur për këtë vendim, por ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të respektojmë këtë proces”, - u shpreh Droutsas. Ai sqaroi se të njëjtin qëndrim i kishte shprehur edhe ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, nga i cili, sikundër tha, kishte marrë garancinë se në çështjen e përcaktimit të kufirit detar mes dy shteteve Shqipëria do ta gjente një zgjidhje. “I bëra të ditur se ne sigurisht nuk mund të jemi të kënaqur për këtë zhvillim. Kjo është e qartë. I kam kërkuar atij të na tregojë se si qeveria shqiptare synon të lëvizë përpara me këtë çështje. Unë besoj se mënyra e nevojshme për të ecur përpara me këtë çështje do të jetë gjetur. Siç ju thashë, ne jemi në kontakte me qeverinë shqiptare dhe mora garancinë se një zgjidhje do të gjendet”, - përfundoi Droutsas. Të njëjtin qëndrim në emër të Athinës zyrtare ai e shprehu edhe në datën 27 janar, në një intervistë të dhënë për radion greke “Thema 9.89”. “Sigurisht, është një zhvillim negativ për të cilin ne nuk jemi të kënaqur. Por, dua të nënvizoj se kjo është një çështje e brendshme e procesit gjyqësor në Shqipëri, për të cilin ne nuk mundemi të bëjmë gjë tjetër veçse ta respektojmë”, - deklaroi ai. Ndërkohë, vlen të theksohet se ndryshe nga reagimi tepër i butë i palës greke, ministri ynë i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në një intervistë të dhënë për ‘BBC’-së u shpreh i keqardhur për atë që e quajti si, “instrumentalizim i kësaj çështjeje nga grupet ekstremiste”. Kësisoj, ai la të kuptohet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi si pasojë e instrumentalizimit të debatit mbi paktin detar, pikërisht nga ato që ai i cilësoi si “grupe ekstremistësh”. Por, ndryshe nga Meta, kryeministri Sali, Berisha në të vetmin reagim të tij publik për çështjen tha se, “vendimi i gjykatës, të pëlqen apo jo, nuk diskutohet dhe do të pranohet”. (s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›