E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shfrytëzoi prostitutën për 6 vjet, arrestohet në Fier

 Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e një personi në qytetin e Fierit, me akuzën e "trafikimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese". Menjëherë pas urdhrit të dhënë nga Gjykata, me kërkesë të Prokurorisë, policia e shtetit ka vënë në pranga gjatë natës së premte në qytetin e Fierit, të dyshuarin Agron Cara. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas këtyre burimeve, i arrestuari akuzohet për shfrytëzimin e një vajze si prostitutë për mëse gjashtë vite me radhë në Itali, Francë dhe në Belgjikë. Burimet nga organi i akuzës, thanë se hetimi i kësaj çështje filloi pasi vajza arriti të shpëtonte nga tutori i saj dhe u kthye në Shqipëri, duke bërë menjëherë denoncim në polici për shfrytëzimin e saj. Policia hapi hetimet dhe në pak kohë ia kaloi dosjen Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale, shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese. ShfrytëzimiSipas prokurorisë, Agron Cara e ka nisur historinë e tij me vajzën e trafikuar duke u njohur me viktimën e më pas duke i premtuar fejesë dhe martesë. I arrestuari, sipas prokurorisë, ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën, madje ka lindur edhe një fëmijë me të. Pasi e ka dërguar në Itali, përmes dhunës, e dëmtuara është detyruar të ushtronte prostitucion ndërsa paratë ia dorëzonte çdo mbrëmje të dyshuarit. Pas mbajtjes për disa vite në Itali, policia ka rënë në gjurmët e shfrytëzimit të vajzës, dhe sipas prokurorisë i arrestuari e ka dërguar atë në Francë dhe në Belgjikë, ku e priste përsëri i njëjti fat: shfrytëzimi për prostitucion. Sipas dëshmisë së dhënë nga vajza në kallëzimin penal ndaj tutorit të saj dhe më pas gjatë hetimeve paraprake, rezulton se shfrytëzimi seksual i vajzës ka filluar në vitin 1997 dhe ka vazhduar deri në vitin 2003. Në këtë kohë vajza ka arritur të largohet dhe të paraqitet në polici, ku më pas është deportuar në drejtim të Shqipërisë. Sapo ka mbërritur në vendin tonë, vajza ka bërë denoncimin. Pas hetimeve paraprake të zhvilluara dhe verifikimit të akuzave të saj, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar në gjykatë masën e arrestit për të dyshuarin Agron Cara. Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë miratimin për ndalimin e tij dhe menjëherë prokuroria ia kaloi urdhërarrestin policisë për veprim. I dyshuari ishte kthyer edhe ai në Shqipëri dhe është arrestuar gjatë natës në qytetin e Fierit.                                 tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›