E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Himarë, Meta: Për autorin, dënim maksimal

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, bëri dje të ditur se autori i ngjarjes së ndodhur ditë më parë në Himarë, ku shtetasi Aristotel Guma gjeti vdekjen nga goditja me një automjet, do të ndëshkohet maksimalisht nga drejtësia. Ai vuri në dukje: Më shqetësuese se deklaratat apo përpjekjet për të instrumentalizuar këtë incident të rëndë, unë mendoj se shqetësuese, më e rrezikshme është humbja e jetës së një qytetari të Himarës. Natyrisht, - shtoi ai, - që u mbetet autoriteteve të shtetit, i mbetet prokurorisë, policisë, i mbetet gjykatave për të zbardhur këtë akt të rëndë kriminal. Ndërsa, mendoj se çdo lloj përpjekje për të politizuar dhe për të instrumentalizuar politikisht apo për arsye të tjera, është një reminishencë e politikave të vjetra, që nuk mund të fitojnë dot më terren në një Shqipëri evropiane, në një Ballkan evropian". Ai shprehu besimin se prokuroria dhe organet e ligjit do ta zbardhin atë krim të shëmtuar dhe njëkohësisht do të vendosin autorët para përgjegjësisë në maksimumin që jep ligji. Për aksidentin ku gjeti vdekjen shtetasi Aristotel Guma, 35 vjeç, është arrestuar autori i ngjarjes Ilir Muka, si dhe një bashkëmoshatar i tij. Pesë persona të tjerë po ndiqen penalisht në gjendje të lirë në lidhje me ngjarjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›