E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Fletët e votimit digjen në shtator

Fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009 do të digjen në shtator. Kjo, pasi vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për këtë çështje mund të vijë vetëm pas dekretimit të datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka afat deri në 8 shtator për dekretimin e kësaj date, kjo referuar afatit të përfundimit të mandatit të të zgjedhurve lokale që lidhet edhe me kohën se kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatin e përballjes elektorale për njësitë e qeverisjes vendore në shkurt të vitit 2007. Me dekretimin e datës së zgjedhjeve, KQZ-së do ti duhet të përgatisë gjithë infrastrukturën e nevojshme për përgatitjen e zgjedhjeve lokale, çka përfshin edhe boshatisjen e kutive të votimit, pra djegien e fletëve dhe dorëzimin e materialeve zgjedhore në Arkivin e Shtetit, proces që sikundër thotë një prej anëtareve të KQZ-së, Klement Zguri, duhet të ishte ezauruar, referuar edhe afateve që përcakton ligji elektoral. Zguri thotë se askush smund të pengojë dhe, aq më pak, të vërë KQZ-në nën presion për të respektuar ligjin. Çështja e fletëve të votimit përbën edhe pikën e konfliktit mes mazhorancës dhe opozitës, duke mbajtur ndezur debatin që prej zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009. Fillimi i sesionit të ri parlamentar në shtator dukshëm do të rikthejë tonet e nxehta politike në një përpjekje të palëve për të imponuar secila qëndrimin e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›