E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Himarë babai i të kërkuarit: Jo dënim politik djalit

TIRANE-  Halo Muka, babai i Ilir Mukës i shpallur në kërkim nga policia për vrasjen e 35-vjecarit himariot Aristotel Guma, në një intervistë ekskluzive për News24, shpreh ngushëllimet për familjen e këtij të fundit, duke deklaruar se gjatë këtyre ditëve ka pasur mundësi të flasë në telefon vetëm 1 herë me djalin e tij, i cili shprehet se ka shtypur aksidentalisht një person që nuk e njihte dhe më pas është larguar. Muka deklaron se është e papranueshme që djali i tij të akuzohet për racizëm, kur në të vërtetë ka ndodhur një aksident rrugor. 

“Shpreh ngushëllimet e mia për familjarët. I shqetësuar marr vesh se djali i traumatizuar më flet duke thënë se pa dashje, në rrugë kam shtypur një kalimtar, të cilin nuk e njihja dhe me të cilin nuk kam pasur asnjë koefidencë me të, prandaj mos më pyesni më tepër sepse jam tepër i shqetësuar”, - deklaron babai.

Muka deklaron se djali i tij ka ndërmend të dorëzohet në polici me qetësimin e situatës së krijuar në Himarë, ku sipas tij vrasja është kthyer në një ngjarje që po përdoret politikisht. Duke kërkuar që Iliri të dënohet për atë që ka bërë, babai i tij thekson edhe njëherë që nuk do dënim politik. Ndër të tjera i bën thirrje kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollanos të mos përdorë këtë fatkeqësi për qëllime të tijat, të mos bëjë kurban djalin e tij.

"Djali ishte i traumatizuar, nuk erdhi në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Ngjarja u politizua në media. Ai ishte një aksident i ndodhur në rrugë. Jemi të gjithë shqiptarë dhe nuk ka vend për diferenca etnike. I bëj thirrje Bollanos, mos politizo fatkeqësinë që ndodhi në rrugë. Djali është një 20-vjecar që nuk e njeh politikën, nuk i njeh dialektet dhe nuk njeh urrejtjen etnike. I lutem qarqeve politike të mos e politizojnë ngjarjen për të bërë kurban një 20-vjecar”, - deklaron ai teksa sytë i mban nga televizori, aty nga ku ndjek me vëmendje gjithcka për këtë ngjarje, që ngjalli reagim në mbarë vendin. 

Ngjarje për të cilën banorët e Himarës bllokuan për orë të tëra aksin Vlorë-Sarandë, në shenjë proteste, me pretendimin që ngjarja kishte motive etnike. Për ngjarjen reagoi me nota të ashpra edhe ministria e Jashme greke, ndërsa nuk lanë pa e dënuar edhe politikanët shqiptarë.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›