Vrasja në Kamzë, dështon hetimi

Astrit Vladi, i dyshuar për atentatin dhe Pavlin Marku, viktima e ngjarjes
Ndërhyrja e nxituar e policisë për ndalimin e Astrit Vladit ka shkatërruar gjithë strategjinë e Prokurorisë së Tiranës për zbulimin e vrasësit të Paulin Markut.Hetimet mbi atentatin e ndodhur mbrëmjen e 17 gushtit pranë Kthesës së Kamzës në Tiranë, megjithëse kanë pasur një fillim premtues, duket se kanë dështuar. Prokuroria urdhëroi lirimin e menjëhershëm të shtetasit Doxh (Astrit) Vladi, 34 vjeç, i ndaluar nga policia me dyshimin se ishte autor i ngjarjes. Për rrjedhojë, ngjarja ka mbetur pa autor, ndërsa prokuroria, për shkak të mungesës së provave, ka vendosur delegimin e dosjes në polici për gjetjen e provave në lidhje me autorin e ngjarjes. Një ditë pas vrasjes së Paulin Markut, 30 vjeç, nga Puka, i cili po lëvizte me motor kur u qëllua shtatë herë me armë nga një makinë Benz që e ndoqi nga pas, policia dhe prokuroria morën informacion në lidhje me një konflikt të viktimës. Ky konflikt i Paulin Markut kishte ndodhur rreth dhjetë ditë para vrasjes së tij dhe armiku ishte pikërisht Doxh (Astrit) Vladi. Për policinë dhe prokurorinë, ky person ishte i dyshuari kryesor, ndonëse ndaj tij nuk kishte asnjë provë që ta implikonte direkt në vrasjen me shtatë plumba të 30-vjeçarit nga Puka. Prokuroria autorizoi mbikëqyrjen e të dyshuarit, ndërsa policia u nxitua që vetëm 48 orë pas krimit e ndaloi autorin. Strategjia e prokurorisë kishte qenë e tillë që i dyshuari të mbahej në mbikëqyrje nëse kryente ndonjë veprim që do të zbulonte vendin ku është hedhur arma e përdorur në vrasjen e Paulin Markut dhe po ashtu identifikimin e autorit të dytë. Ndalimi i 34-vjeçarit nga policia për 48 orë ka qenë ndërkohë një kujtesë për të dyshuarin për të bërë kujdes, pasi policia është vënë pas tij në ndjekje, kanë pohuar burimet e Akuzës. Sipas burimeve nga organi i akuzës, vrasja e Paulin Markut me shtatë të shtëna nga një automjet që ka qenë në lëvizje, nuk mund të jetë kryer nga një person i vetëm. Rrethanat e ngjarjes krijojnë dyshimin e bazuar se në kryerjen e krimit kanë marrë pjesë të paktën dy persona, kanë thënë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, 34-vjeçari Vladi është urdhëruar të lirohet vetëm 48 orë pas arrestimit të tij, pasi pavarësisht dyshimeve, ndaj tij nuk kishte prova të mjaftueshme për ta akuzuar për vrasje. Organi i akuzës menjëherë ka shqyrtuar materialet e dosjes dhe ka vendosur të kthejë procedimin në polici për plotësim me prova dhe për zbulimin e autorit të ngjarjes. Grupi i hetimit është ngarkuar të kryejë disa veprime hetimore me qëllim gjetjen e provave të ngjarjes. Sipas procedurës, nëse policia plotëson me prova dosjen penale, atëherë ajo mund ti rikthehet prokurorisë për akuzimin e personit që rezulton i implikuar në ngjarje.
Konflikti për makinën e këngëtarit Arif Vladi
TIRANE Shtetasi Paulin Marku, pronar i një mobilierie në autostradën Tiranë-Durrës, u qëllua shtatë herë me armë dhe gjeti vdekjen në orën 19:55 të mbrëmjes së 16 gushtit në Tiranë. Vrasja ndodhi në afërsi të mbikalimit të Kamzës, ku 30-vjeçari, me banim në Tiranë, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme ndërsa po lëvizte me një motor Kawasaki. Dy ditë më pas, Policia doli me një deklaratë në të cilën theksonte se shtetasi Doxh (Astrit) Shaqir Vladi, 34 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje me armë, u arrestua pasi dyshohet se në bashkëpunim, për motive të dobëta, ka vrarë me paramendim me armë zjarri 30-vjeçarin Paulin Mark Marku, nga Puka, me banim në Tiranë. Policia pretendoi se dhjetë ditë më parë i dyshuari Vladi dhe viktima e atentatit kanë pasur një debat, madje një përleshje fizike mes tyre. Shkak ishte bërë makina e këngëtarit Arif Vladi. Paulin Marku, që lëvizte shpesh në itinerarin Shqipëri-Itali-Zvicër, ka dërguar disa vajza në një lokal ku këndonte Vladi në Zvicër. Për këtë ka përdorur makinën e Vladit, të cilën e ka blerë, por nuk ka shlyer gjithë detyrimet financiare. I ndaluari nga policia, Astrit Vladi, ishte nip i këngëtarit Arif Vladi. Ai ka paraqitur filmime të një lokali që tregojnë se ka qenë duke pirë kafe në kohën kur ka ndodhur vrasja e Paulin Markut.
Trazhgim Sokolaj