Vrasja në Korçë, policia 10 mijë euro, për informacion

Policia e Korçës ka vënë në dispozicion një shumë të konsiderueshme parash, për informacion mbi autorin e krimit makabër.
Pas gjetjes së trupit të masakruar të një gruaje, me kokë dhe gjymtyrë të prera, në fshatin Ravonik, policia e Korçës ka vënë në dispozicion 10 mijë euro shpërblim, si dhe garanton ruajtjen e konfidencialitetit.
“Kërkohet nga të gjithë personat, që kanë dijeni për identifikimin e kufomës dhe rrethanat e ngjarjes, të japin informacionin e nevojshëm duke ruajtur kofidencialitetin, dhe për këtë qëllim nga Drejtoria e Policisë, Qarkut Korçë vihet në dispozicion një shumë shpërblimi prej 10.000 Euro”, thuhet në deklaratën e policisë së Korçës. Po ashtu, policia ka vënë në dispozicion edhe 2 numra telefoni celularë: 069 41 06 891 dhe 069 41 03 550
Kufoma e coptuar është gjetur në vendin e grumbullimit të plehrave në dy thasë plastikë, nga punonjësit e sistemimit të mbeturinave të qytetit në vendgrumbullimin e tyre, të cilët lajmëruan më pas policinë e qarkut.
Policia informon se nga kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor, ka rezultuar se kufoma është e seksit femër, me një gjatësi prej 160-162 cm, me trup të rregullt, rracë e bardhë, me moshë 30-35 vjeç, pa shenja të veçanta identifikimi përveçse një dëmtimi të vjetër me përmasa të vogla në kërcirin e këmbës së djathtë.