Vrasja në Kurbin/Rrëfehet vrasësi: Nuk e dija që në makinë kishte fëmijë
Mamurras/Është penduar dhe përpara oficerëve gjyqësore ka shprehur keqardhjen e tij për fëmijën 9 vjeçar që ai kishte vrarë me duart e tij. Nuk e dija që në makinë kishte fëmijë. Në rast se do ta dija nuk do ta kisha shkrehur armën. Këto ishin fjalët që tha Vladimir Shkreta, njëri prej dy autorëve të atentatit ndaj Muharrem Llanit, në Mamurras të Kurbinit, ku gjeti vdekjen të martën nga breshëria e automatikut nipi i tij nëntëvjeçar, Indrit Llani. Pas arrestimit nga policia, Vladimir Shkreta, njëri prej vëllezërve atentatorë pranoi se e kishte kryer krimin për shkak të konfliktit që kishte patur të hënën në mbrëmje, me 62-vjeçarin Muharrem Llani dhe vëllanë e tij, i ati i Indrit Llanit. 33-vjeçari Vladimir Shkreta pohoi para hetuesve se kishte qëlluar në drejtim të mjetit tip Wolksvagen që i përkiste Muharrem Llanit, duke e ditur se në të ndodhej vetëm 62-vjeçari, i cili mbeti i plagosur rëndë. Shkreta i prekur nga vrasja e fëmijës, tha se sa i përket pritës ndaj vëllezërve Llani, gjithçka ishte e planifikuar, dhe kjo pasi sipas tij, kishin pritur disa orë që mjeti tip Wolksvagen të kthehej për në Shpërdhet. Vladimir Shkreta rrëfeu para policëve se nuk kishte parë që në veturë ndodhej edhe një fëmijë së bashku me nënën e tij.
Rrëfimi i vrasësit
Shkreta tregoi se i kishte zënë pritë Muharrem Llanit pranë shtëpisë dhe po e priste që të kthehej, por pa e menduar se ai do të transportonte njëherësh edhe kunatën dhe nipin e tij 9-vjeçar. Gjatë marrjes në pyetje, Vladimir Shkreta deklaroi se nëse do të kishte qenë në dijeni ose do të kishte konstatuar se brenda në mjet kishte edhe fëmijë ai nuk do të kishte shkrehur armë. Por, sipas tij atentati rrodhi shumë shpejt duke shkaktuar gabimisht sipas tij, vrasjen e fëmijës 9-vjeçar, i cili qëndronte në prehrin e nënës.
Vrasja
Vendi ku ndodhi atentati ishte një zonë me infrastrukturë rrugore të amortizuar, ku lëvizja e mjeteve kryhet me shpejtësi të vogël. Me sa duket dy autorët e kanë patur të pamundur të shquajnë brenda makinës pasi xhamat e saj kanë qenë disi të errët dhe kanë qëlluar nga ana e shoferit, ku ndodhej Muharrem Llani, xhaxhai i fëmijës, që mbeti viktimë e atentatit. Ndërsa kanë prangosur njërin prej autorëve, Vladimir Shkretën, policia e Lezhës është në kërkim të vëllait tjetër, Altin Shkretës. Policia ka ngritur post-blloqe të shumta për kapjen e tij. Më herët gjatë kontrollit në banesën e Vladimir Shkretës policia sekuestroi tre automatikë, njëri prej të cilëve dyshohet të jetë ai me të cilin u krye atentati, ku mbeti i vrarë i mituri, nipi i objektivit të sulmit.