Vrasja në rrugën nacionale,policia prangos dy persona
Vetëm pak orë pasi kreu vrasjen në mes të rrugës nacionale që lidh Elbasanin me Peqinin, policia vë në pranga autorin 23-vjeçar, Gersi Sallufi. Ai është personi i akuzuar se ka qëlluar me armë zjarri ndaj babait të 3 fëmijëve, Durim Sinani pasditen e së premtes. Bashkë me Sallufin, policia prangosi dhe 30-vjeçarin Everest Gacin. Ky i fundit ishte në makinë me autorin dhe sipas policisë akuzohet për moskallëzim krimi dhe përkrahje të Sallufit pas kryerjes së krimit.
Një sherr për parakalimin me makinë solli konfliktin, i cili përfundoi me humbjen e jetës së 34-vjeçarit, banor i fshatit Pajovë. Sipas policisë, viktima parakaloi autorin me makinën e tij, tip “BMW” X5, fakt ky që nuk u pranua nga Sallufi, i cili po drejtonte një makinë “Benz”. Të dy personat janë nxehur gjatë rrugës e kanë ndaluar makinat. Në debat e sipër, Sallufi ka nxjerrë armën e zjarrit, duke qëlluar me plumb në ballë 34-vjeçarin. Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë shkuar në vend, duke nisur kërkimet për autorin. Dhjetëra efektivë nga Peqini, Elbasani dhe nga Tirana u angazhuan për kapjen e 23-vjeçarit Gersi Sallufi, i njohur më parë me emrin Roland. Kërkimet intensive çuan agjentët e policisë rreth orës 05:00 të mëngjesit tek vendndodhja e autorit, në afërsi të qytetit të Peqinit, ku dhe banonte. Sipas policisë, ai ishte në pritje të zbardhte dita, për t’u larguar në drejtim të paditur. Me pranga, ai është shoqëruar në komisariatin e policisë së Elbasanit, me akuzën e “vrasjes” dhe atë të “armëmbajtjes pa leje”. Veç Sallufit u bë dhe ndalimi i Gacit, i akuzuar se nuk bashkëpunoi me policinë pas vrasjes së ndodhur në rrugën nacionale. Ngjarja tronditi banorët e fshatit Pajovë, prej nga ishte viktima si dhe udhëtarët e rastit, që po kalonin përmes këtij aksi për në Elbasan, apo për Peqin. Për policinë, bazuar dhe në dëshmitë e mbledhura në vendngjarje, vrasja ndodhi si pasojë e konfliktit të çastit.
KRUJE
Vetëdorëzohet në polici vetëm pak orë pasi u arratis nga dhoma e izolimit. Ervin Allushi, 34 vjeç nga Nikla e Krujës alarmoi policinë dy herë radhazi, njëherë derisa e arrestuan pasi ai shtiu me armë zjarri në ajër, e herën tjetër për ta kapur sërish, pasi ai u arratis nga dhomat e paraburgimit. Pas negociatave të policisë, mësohet se dje rreth orës 09:30, 34-vjeçari ka pranuar të vetëdorëzohet. Mësohet se rreth orës 19:00 të së premtes, Allushi, teksa udhëtonte me mjetin e tij ka qëlluar në ajër me armë në fshatin Derven të Krujës. Banorët sinjalizuan policinë, e cila ra në gjurmët e autorit dhe e arrestoi atë. Por më pas ai arriti të dalë nga dritarja e pasme e dhomës së izolimit.