E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama qarkore vartësve për dhunën ndaj fëmijëve

 

TIRANE – Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka shpërndarë një qarkore për të gjitha prokuroritë në shkallë vendi, ku kërkon marrjen e masave për parandalimin e dhunës ndaj të miturve që arrestohen për vepra të ndryshme penale. Qarkorja e Kryeprokurores Ina Rama është dërguar për të gjitha prokuroritë e rretheve pas një rekomandimi të Avokatit të Popullit, i cili theksoi se nga 16 të mitur që mbahen të arrestuar në paraburgimin 313 në Tiranë, 12 prej tyre kanë pohuar se janë rrahur e keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje për krimet që kanë kryer. Në një përgjigje zyrtare, rekomandimin e Avokatit të Popullit, Prokuroria e Përgjithshme thekson se “u është dërguar një qarkore të gjithë prokurorive të rretheve gjyqësore në shkallë vendi, me qëllim që të merren masa për parandalimin e shkeljeve të dispozitave ligjore që garantojnë të drejtat procedurale të të miturve në procesin penal”. Në qarkoren e shpërndarë për vartësit e saj në rrethe, Ina Rama ka theksuar respektimin e normave ligjore të kërkuara gjatë ndalimit, arrestimit, marrjes në pyetje dhe intervistimit të të miturve. Reagimi ka ardhur pas konstatimeve të Avokatit të Popullit, i cili kritikoi policinë, kryesisht në Tiranë dhe rrethe. Drejtoria e Policisë së Tiranës i ka hedhur poshtë akuzat për dhunën ndaj të miturve në dhomat e izolimit në varësi të saj, duke thënë se respektimi i të drejtave të çdo shtetasi është prioritet i saj. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›