E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika, shoqëria civile dhe qytetarët

Elsa Ballauri 

Në një kohë kur zgjedhjet fillojnë e bëhen të ... rëndësishme në mendjet  e njerëzve, politika dhe shoqëria civile si dhe marrëdhëniet që ato kanë me njëra-tjetrën, janë dy komponentë që luajnë një rol të madh për t’i drejtuar këto mendje për të mirë, apo për të keq.  Zgjedhjet e ditës së nesërme e kanë vënë politikën shqiptare përpara një prove të madhe. Duket sikur edhe unë, sikurse të gjithë të tjerët do të them se kjo provë është hyrja në NATO... Natyrisht nuk kam si e kundërshtoj një fakt të tillë të rëndësishëm, por vetëm hyrja në NATO sikurse thuhet, nuk duhet të qëndrojë si shtytësja bazë e një procesi që duhet të ndodhë për shkaqe dhe pasoja të rëndësishme të mbarëvajtjes së një populli. Ideja e të qenit mirë me të huajt, është natyrisht një sfidë e re e shqiptarëve, të cilët izolimi i dikurshëm iu kishte ndërprerë sensin e komunikimit dhe vlerësimit për veten, por kjo duhet të jetë tashmë një sfidë e kapërcyer...
Ndërkohë, këtë lloj konceptimi të zgjedhur nga politika, duhet ta gëlltisë qytetari i thjeshtë. Hyrja në NATO është një mundësi më shumë për Shqipërinë në fasadën ndërkombëtare, por kjo s’duhet të na bëjë të harrojmë se qëllimi i rëndësishëm është ndihma dhe mundësitë që i jepen të thjeshtit qytetar për të jetuar normal brenda bindjeve të veta të djathta apo të majta, si edhe kërkesa që iu bën ai politikanëve për mbajtjen e premtimeve.
Natyrshëm, tek njerëzit, kudo ku ata janë, ndikojnë parapëlqimet personale. Por kur këto dominojnë dhe bindjet e vërteta lihen pas dore ose ndërrohen pa asnjë kriter, ky është një fenomen që ka lidhje me mungesën e kulturës politike. Veçse bindjet e vërteta duhet të krijohen. Ndonëse programet e partive, duket sikur janë njësoj, njerëzit, duke mos iu besuar dot, (sepse në fakt nuk besojnë udhëheqësit e tyre), mbeten pre e traditave të vjetra të paragjykimeve mbi këta persona dhe e mjaftojnë me kaq detyrimin e tyre si votues. Në këtë rast kemi të bëjmë më shumë me kontradiktën e qytetarit me vetë liderin, se sa me kontradiktën që ai ka me programin e partive. Sidomos në këto zgjedhje, me sistemin proporcional ka një pasqyrim më të detajuar të personalitetit të vetë liderëve politikë.
Rrjedhimisht, kjo ka krijuar mungesën e madhe të një opinioni të fuqishëm djathtas dhe një opinioni të fuqishëm majtas, gjithashtu edhe mungesën e një opinioni të fuqishëm që mund t’i gjykojë proceset me paanësi të fortë.
Mungesa e të majtës politike dhe e të djathtës politike dhe aq më shumë mungesa e mendimit të pavarur, ka gjeneruar mungesën apo hallakatjen e gjykimit qytetar, prandaj liderët janë të ankthshëm në sigurinë që ata kanë mbi elektoratin e tyre. Hyrja në NATO na gjeti në këtë situatë të parregulluar psikologjike dhe fushata që sapo ka përfunduar është një kohë tepër e shkurtër për të realizuar synime të mençura politikanësh, edhe nëse ato janë shfaqur në mënyrë embrionale. Duke qenë të pavendosur në elektoratet e tyre, politika zgjodhi të viktimizojë edhe shoqërinë civile. Fushata e grave me 30 përqindëshin e tyre u kombinua këtë herë edhe me ardhjen e një sërë njerëzve të rinj nga jashtë vendit, e personave që falë dëftesave të mbara, menduan se është mirë të japësh kontribut real për vendin edhe në politikë. Natyrisht kjo është një nga fenomenet e reja më interesante dhe më të domosdoshme sidomos për ne: ardhja e mendimit të ri, të njerëzve me kulturë, të njerëzve të dedikuar. Kjo e fundit vlen të theksohet më shumë se çdo gjë tjetër (s’do t’ia kisha sugjeruar kurrë vajzës sime që është një studente e mirë dhe studion jashtë vendit të merrej me politikë, nëse nuk do të ishte e dashuruar me këtë zgjedhje)...
Por si përherë, tendencat e reja, shpeshherë janë të nxituara dhe manipulohen. Shoqëria civile shqiptare herë pas here ka dhënë një kontribut të mirë me njerëz që patën kurajon e lartë të hyjnë në politikë me bindjen se do ta ndryshojnë për mirë atë. Kjo është një nga arritjet. Por kjo s’ka ndodhur gjithmonë, shpesh kjo është manipuluar. Sepse, sa do mund të ndikojnë këta njerëz, të cilët vijnë nga një sistem që ende nuk është formuar dhe ndikimi i të cilit mbi politikën ende nuk ka dhënë provat e duhura? Me shoqëri civile nuk nënkuptoj vetëm përfaqësues të shoqatave. Ka rrezik se përfshirja e konsiderueshme e shumë personave në politikë e ka zbehur akoma më shumë horizontin e zbehtë të vetë shoqërisë civile, ka krijuar bindjen se shoqëria civile është e pazonja për t’u imponuar në problemet e vendit, ka krijuar opinionin se, nëse do të jesh i suksesshëm, atëherë futu në politikë: atje është vendi ku mund t’i ndryshosh gjërat...
Eh, sikur të ishte kështu, nuk do t’i mbaja me vete këto shqetësime... Por dyshoj se kjo nuk funksionon kështu.
Në përgjithësi, të gjithë udhëheqësit kërkojnë ushtarë të bindur, vetë politika është një lloj rreshtore dhe kush largohet nga rreshti, dënohet. Politika shqiptare është akoma më e angazhuar në sjelljen e bindur të ushtarëve të saj. Sistemi i sotëm zgjedhor krijoi akoma më shumë pamjen e fokusuar të liderit. Përballë qëndrojnë liderët kryesorë, si gladiatorë, ndihmësit e tyre nuk vihen re shumë, askush s’pyeti gjatë për kontributet e tyre dhe aq më shumë u diskutua dhe u krijua opinion pozitiv për personat që erdhën nga sistemi i jopolitikës... Ka disa vite që rëndësia dhe vlera e shoqërisë civile ka devijuar në një stad tjetër. Frika ndaj politikës, lodhja, vështirësia për t’i mbijetuar abuzivitetin, shpeshherë mungesa që prej fillimit e misionit dhe motiveve për t’i shërbyer njerëzve, të gjitha këto çuan në një lëvizje të dhimbshme (vetë)asimiluese të një pjese të shoqërisë civile. E quaj shumë të rëndësishme ndikimin e saj në politikën shqiptare, sidomos për njerëz që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm, por e quaj të pafalshme faktin që shoqëria civile të përdoret cinikisht si një trampolinë, apo të manipulohet për qëllime të personave të caktuar në të. Dobësimi i saj, asnjëherë nuk do ta ndihmojë Shqipërinë dhe politikën e saj. Forca politike qeverisëse, gjithmonë duhet të ketë një opozitë të shëndoshe, të sinqertë, konstruktive që do t’i vijë nga një mendim civil i pjekur dhe i paanshëm, shumë më mirë se sa një mendim kundra që vjen nga opozita politike, e cila mbart shpeshherë me vete argumente ekstremë dhe jo me rendiment.
Dhe aq më shumë, të rinjtë, pjesa më optimiste dhe aktive e shoqërisë, është mirë që eksperiencën e tyre ta fitojnë duke punuar vullnetarisht në shoqërinë civile, se sa të bëhen pre e honorareve ditore të partive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›