Vrasja, roja kapi babë e bir duke vjedhur
Grabitësit e kabllit elektrik vranë rojën e Fabrikës së Mermerit në fshatin Kovashicë të Bulqizës.Policia ka zbuluar dhe arrestuar një prej vrasësve të dyshuar të Petrit Lekës, ndërsa tjetrin e shpalli në kërkim. Sipas policisë, vrasja është kryer nga dy persona, të cilët pasi kishin vjedhur një sasi kablli elektrik, kanë tentuar të largohen, por janë diktuar nga roja Petrit Leka. Zëdhënësi i policisë tha se mbrëmjen e së mërkurës, specialistë të Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, pas një pune të mirëorganizuar dhe falë një angazhimi profesional, kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Gazmend Menduh Murrja, 21 vjeç, lindur e banues në fshatin Hotesh, rrethi Dibër. Po ashtu, Policia rajonale dhe ajo e rrethit Bulqizë kanë shpallur në kërkim babanë e të arrestuarit, Menduh Murrja, po nga fshati Hotesh. Për zbulimin e autorëve të këtij krimi policia dhe organi i akuzës kanë përdorur metoda të specializuara të hetimit, duke dokumentuar përfundimisht ngjarjen e 11 majit 2011. Gjatë ecurisë së hetimeve ka rezultuar se shtetasi Gazmend Murrja, në bashkëpunim me shtetasin e shpallur në kërkim Menduh Murrja, rreth orës 02:00 të datës 11.05.2011 kanë hyrë në ambientet e Fabrikës së Mermerit, të ndodhur në Kovashicë të rrethit Bulqizë dhe kanë vjedhur një sasi kablli elektrik. Në momentin e largimit, janë pikasur nga roja e objektit, 55-vjeçari Petrit Leka. Për të shpëtuar nga denoncimi në polici për vjedhje, ata kanë qëlluar me armë zjarri automatike ndaj Lekës, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një pushkë automatike, 700 copë fishekë dhe një sasi kablli elektrik. Efektivat e policisë janë vënë në ndjekje të autorit të dytë të ngjarjes kriminale, e cila tronditi fshatin. Trupi i pajetë i rojës u gjet nga punëtorët e fabrikës vetëm në mëngjes, disa orë pas krimit, pasi askush nuk kishte dyshuar për krismat e armës, duke menduar se po festohej fitorja e zgjedhjeve të së dielës.
Nisen për vizitë tek të afërmit, grabisin në rrugë
BALLSH Nisen nga Vlora për vizitë tek të afërmit, kthehen në grabitës. Rasti u shënua në rrugën rurale Povël-Poçem të rrethit Mallakastër. Dy persona kanë vjedhur duke ushtruar dhunë mbi shtetasin me inicialet I.S, banor në një fshat të Mallakastrës. Sipas policisë, i grabituri po qarkullonte me motoçikletë, kur i kanë dalë para autorët, duke i vjedhur mjetin, telefonin celular dhe 20 mijë lekë që kishte me vete. Pasi i kanë zënë rrugën drejtuesit të motoçikletës, autorët e kanë goditur atë duke e lënë pa ndjenja, ndërsa i kanë marrë gjithçka që kishte. Vetëm kur është përmendur, i dhunuari ka lajmëruar policinë. Këta të fundit, pas kërkimeve brenda zonës së Povlës, kanë arritur të gjejnë të fshehur A.M, 16 vjeç, banues në fshatin Vllahinë të rrethit Vlorë dhe Laim Lelajn, 18 vjeç, banues në fshatin Gorisht të rrethit Vlorë. Mësohet se dy të rinjtë kanë shkuar tek të afërmit në Povël dhe që aty duket se kanë marrë vendim për të kryer vjedhjen. Policia tha se mbi ta rëndon akuza e vjedhjes me dhunë e kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale janë marrë motoçikleta, telefoni celular, sasia e parave si dhe një send i fortë i përdorur për të realizuar vjedhjen. Ky është rasti i dytë ditët e fundit që në Mallakastër ndodhin vjedhje të tilla. Pak ditë më parë, tre persona arritën të vjedhin një automjet nën presionin dhe kërcënimin e armëve.
BULQIZE/ HASAN PASHA